Arbëri

Auditorja e Përgjithshme i evidentoi 51 raste të dyshimta në 2022-n

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se përgjatë vitit të kaluar i kanë evidentuar 51 raste të dyshimta për vepra penale, të analizuara në raportet e Auditimit.

Spanca ka deklaruar para mediave të hënën se dyshimet i kanë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit për hetim të mëtejmë, derisa ka shtuar se në Prokurori janë dërguar edhe dy raporte në tërësi “për shkak të çështjeve të ndërlidhura”.

“Rastet që i kemi dërguar sivjet në Prokurori janë kryesisht të nivelit lokal. Deri më tani kemi dërguar rreth 300 raste në Prokurori, nuk kemi ende informata për ndonjë epilog të rastit”, ka deklaruar Spanca.

Sipas Auditores së Përgjithshme. rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe të mallrave.

“Janë identifikuar 36 raste. Tetë raste janë identifikuar në kategorinë subvencione e transfere si dhe 7 raste në fushën e punësimit. Duhet thekuar se menjëherë pas dërgimit të rasteve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar pranimin e informacioneve dhe e ka informuar ZKA-në për shpërndarjen e tyre te Zyra përkatëse te 7 prokurorive themelore”.