1 perditesime
12:21

Të enjten diskutohet në Kuvend për tekstet shkollore

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se të enjten do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për tekstet shkollore.

Ajo ka deklaruar të hënën para mediave se seanca e rregullt do të nisë në orën 10:00, ndërsa në orën 14:00 do të ketë seancë tjetër.

“Në ora 10:00 do të kemi seancë të rregullt. Me 14 shtator mbahet seanca e radhës, në orën 14:00. Në këtë seancë do të diskutohet për situatën me libra. Interpelanca për ambasadorin Martin Berisha, është shtyrë për një kohë tjetër, në koordinim me Zyrën e Kryeministrit dhe deputetët e PDK-së”, ka deklaruar shefja e GP të VV-së.

Kusari-Lila është shprehur se pret një sesion të mbarë vjeshtor.

“Natyrisht që opozita ka format e saj, por ne presim angazhim maksimal”, ka theksuar ajo.

Seancë mbi çështjen e teksteve shkollore u ftua të mbahej edhe javën e kaluar, por mungesa e kuorumit e pamundësoi këtë./eo

08:18

Kuvendi sot nis sesionin vjeshtor, Kryesia pritet t’i caktojë dy seanca

Kuvendi i Kosovës sot pritet të nisë sesionin e ri vjeshtor. Ai do të fillojë me mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që pritet të mbahet në orën 11.

Kryesia ka në rend ditë caktimin e dy seancave plenare, njëra me 23 pika e tjetra me 13. Ndër pikat e seancës së parë që pritet të caktohet, janë edhe votimi i 3 marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat pushteti, pa votat e opozitës nuk ka arritur t’i miratojë dhe shqyrtimi i dy marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Kuvendi ka në procedurë 48 projektligje që kanë mbetur të papërfunduara nga sesionet e kaluara.

Gjatë sesionit pranveror deputetët kanë miratuar 43 ligje, që nuk është as gjysma e punës së kryer në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.