Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë nenin 5 të ligjit të ndryshuar të Tatimit në Pronë, i cili nen ua mundësonte komunave të falin nga 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023.
Murati ka thënë se masa e pezullimit e caktuar deri më 30 nëntor është “mjaftueshëm për të qenë më vonë se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, që është më 30 shtator”.
“Me fjalë tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja. Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave. Masa e pezullimit është vendosur deri më 30 nëntor, mjaftueshëm sa për të qenë më vonë se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, që është me 30 shtator. Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”, ka shkruar Murati në Facebook.