Arbëri

Oda Ekonomike: Masat e BE-së ndikojnë në imazhin e Kosovës

Janë bërë më shumë se një muaj qëkur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si rrjedhojë e situatës në veri. E këto masa, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke folur për masat ndëshkuese, ai ka deklaruar se ato do të kenë ndikim të madh edhe tek investitorët e huaj dhe në dëmtim të imazhit të Kosovës. Rafuna ka përmendur edhe përjashtimin nga Fondi për Digjitalizim. Për trendët ekonomikë në vend, ai theksoi se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri në 4 për qind.

“...Rritjen ekonomike Oda e Ekonomike e Kosovës që e parasheh është e njëjtë me atë që e sheh Banka Botërore, Fondi Monetar dhe institucionet e tjera financiare, kredibile që bëjnë vlerësime, rritja do të sillet deri në fund të vitit mes 3.5 deri në 4, kjo është, pak a shumë pritjet tona janë që të përfundoj rritja ekonomike e Kosovës”, u shpreh Rafuna.

E shqetësuese kreu i OEK-ut e sheh thellimin e deficitit tregtar. Për këtë, ai kërkoi më shumë vëmendje nga Qeveria e Kosovës.

“Deficiti tregtar është shqetësuese, do me thënë rritja edhe thellimi i deficitit, rritja e importit si në vlerë si në sasi, rënia e eksportit kishim këta dy muaj e fundit, është shumë shqetësuese, për këtë arsye kjo është alarm për qeverinë e Republikës së Kosovës të përqendrohen dhe të hartojnë një politikë të mirë fiskale, që i ndihmon më shumë prodhimit tonë, në mënyrë që të kemi më shumë eksporte dhe ta ulim deficitin tregtar”, u shpreh kreu i OEK-ut.

Rafuna ka folur edhe për rritjen e të hyrave nga Dogana. Thotë se me këtë nuk krenohet Oda Ekonomike e Kosovës, pasi kërkesë e vazhdueshme e tyre është prodhimi e eksporti.

“Sa i përket të hyrave është vetë vlera e inflacionit, vetë importimi i sasisë më të madhe e ka sjellë edhe rritjen e të hyrave në doganë, mirëpo ne si Odë nuk mburremi me të hyrat që vijnë nga dogana, ne mburremi me të dalat në rritjen e eksportit dhe me mbulimin e mallrave të importuara me prodhime vendore. Kështu që për neve çdo e hyrë më e madhe që vjen në doganë, paraqet shqetësim, jo në kuptim pozitiv, që me e marrë që është mirë, për ne si Odë Ekonomike insistojmë që të kemi sa më shumë prodhim dhe të gjitha kërkesat tona ndaj të gjitha institucioneve të vendit është që të kemi sa më shumë prodhim dhe sa më shumë eksporte që të kemi sa ma pak importe të mallrave nga vende të tjera dhe sjelljes së parasë së gatshme jashtë Kosovës”, ka deklaruar ai./eo