Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i ka bërë këto deklarata të mërkurën, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, “nëse ato nuk sillen me përgjegjësi”.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani gjatë një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë në Ditën e të zhdukurve.
Presidentja e Kosovës tutje ka thënë se më 1 shtator do të jetë gati udhëzimi për mbajtjen e zgjedhjeve të hershme në katër komunat veriore.
Osmani pret që në takimin e radhës të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, “Bashkimi Evropian të konstatojë se janë plotësuar kërkesat e veta dhe të plotësohen të gjitha kushtet për heqjen e masave ndaj Kosovës, që ashtu kështu kanë qenë të padrejta”.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se gjatë shtatorit do të ketë një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.