Arbëri

Krasniqi: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në veri, s’është e aftë t’i regjistrojë qytetarët atje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se dështimi i Qeverisë për të filluar regjistrimin e popullsisë, rikonfirmon paaftësinë për veprim nëpër të gjithë sektorët e shtetit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se ekziston rreziku që regjistrimi i popullsisë të mos bëhet fare këtë vit.

Krasniqi më tej ka renditur disa nga arsyet që sipas tij kanë bërë që regjistrimi i popullsisë të shtyhet sërish për një muaj.

“Përkundër arsyetimeve të rreme të Qeverisë, ekzistojnë disa arsye, tërësisht politike se pse po shtyhet regjistrimi i popullsisë. E para: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, andaj s'është e aftë që t'i regjistrojë qytetarët atje. E dyta: emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës, ku, vetëm brenda këtyre mbi dy viteve të kësaj qeverie, janë larguar nga vendi rreth 150 mijë qytetarë. E treta: katrahura që e ka kapluar Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për shkak të ndërhyrjeve politike e partiake në të nga ana e Qeverisë”, ka shkruar ai.

Kreu i PDK-së ka thënë se qytetarët e meritojnë një shpjegim nga ana e Qeverisë lidhur me këtë çështje, të cilën ai e ka quajtur skandal të ri.

“Regjistrimi i popullsisë është jetik për krijimin e politikave dhe veprimeve të mirëfillta dhe afatgjata qeverisëse, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Prandaj, i bëjë thirrje Qeverisë që të ndaloj shkatërrimin e Agjencisë të Statistikave të Kosovës, përmes ndërhyrjeve dhe trysnisë së përditshme politike, dhe të punojë urgjentisht që procesi i regjistrimit të popullsisë të fillojë sa më parë. Pa statistika s’ka planifikim. Pa planifikim s’ka progres! Por, fatkeqësisht, ne kemi një Qeveri që punon edhe pa plan edhe pa program”, ka shkruar më tej ai.