Lidershipi i Serbisë ka ashpërsuar diskursin kundër Kosovës dhe shteteve që ia kanë njohur pavarësinë. Kjo ka nxitur polemikë në distancë edhe mes presidentit serb dhe atij malazias. Në Qeverinë e Kosovës thonë se veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel. Ndërkaq, BE-ja i është kundërpërgjigjur me heshtje fushatës së Beogradit zyrtar
Udhëheqës shtetërorë në Serbi kanë ashpërsuar fushatën kundër Kosovës, tek kanë mbetur edhe pak ditë nga shtatori, kur pritet të rifillojë dialogu për normalizim të raporteve ndërmjet të dyja vendeve.
Presidenti Aleksandar Vuçiq, adresoi mesazhe kundër njohjes së Kosovës, si para ashtu edhe gjatë Samitit të Athinës. Qëndrim për këtë dha edhe në takimin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i zhvilluar në margjina të samitit.
“Ia shpjegova situatën rreth Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial”, tha Vuçiq.
E ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, në një intervistë për TV Pink, dy ditë më parë i kritikoi shtetet e rajonit, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Keni gabuar dhe kjo do t’i godasë në kokë, siç po i godet në Ukrainë të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur. E hapën kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja se Kosova është ‘sui generis’ janë qesharake. As Kurti e as Tirana nuk ju beson për këtë”, ka thënë Vuçeviq.
Këtë deklaratë e kritikuan liderë të Malit të Zi, Maqedonisë e të Shqipërisë.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e kualifikoi si ndërhyrje këtë, por nuk iu referua ministrit serb.
“E konsideroj të papranueshme çfarëdo përpjekjeje për ndërhyrje direkte apo indirekte të aktorëve të huaj”, ka thënë Milatoviq.
Deklarata ka nxitur reagimin e presidentit serb.
“Nëse ndahet Ulqini apo Plava, ne do ta pranojmë menjëherë dhe nëse nuk na dërgoni shampanjë, do të themi se po na kërcënoni? Është sikur kur Kurti shkakton trazira, e ata thonë se Kurti nuk është fajtor, por Vuçiqi që s’e ka pranuar Kosovën”, ka thënë Vuçiqi. “Ne ta kërcënojmë Malin e Zi? Çfarë budallallëqe janë këto. As që na shkon në mendje kjo. Ne vetëm pyesim se si është pozita e serbëve. Nuk mund të na ndaloni të pyesim se çfarë po ndodh me 30 për qind sa janë serbë në atë vend. Gjermanët në Hungari kanë çdo gjë – nga kopshtet deri te shkollat”.
Në Qeverinë e Kosovës thanë se veprimet si ato të Vuçiqit, i cili vazhdon fushatën kundër Kosovës dhe kërcënon vendet e rajonit, shkaku i qëndrimeve që mbajnë për Kosovën, janë në kundërshtim me zotimet e dhëna në dialog.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se Kosova përkundër veprimeve të Serbisë, është konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
“Lobimi i vazhdueshëm dhe deklarimet e Vuçiqit, nuk janë lajm për ne. Ato janë vetëm dëshmi të njëpasnjëshme të qasjes dhe qëndrimit të pandryshuar të Serbisë, pavarësisht marrëveshjeve të dakorduara, dhe shkelje të njëpasnjëshme të frymës dhe parimeve të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe asaj të Ohrit, të cilat presim që të denoncohen nga ndërmjetësit e procesit të dialogut. Kosova po respekton dakordimin me BE-në dhe në vazhdimësi ka shfaqur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 komunat në veri, konform ligjit... Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, konstruktive, dhe kreative në procesin e dialogut”, ka thënë Kryeziu.
E njohësi i zhvillimeve politike, Gazmir Raci, ka theksuar se me rifillimin e procesit të dialogut në shtator, BE-ja duhet të definojë nëse Serbia do të ndërmarrë hapa në funksion të zbatimit të marrëveshjes bazë.
“Serbia vazhdon të jetë destruktive në dialogun e Brukselit dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta qartësojë këtë pozicion serb se a është përnjëmend për dialogun e Brukselit apo është duke blerë kohë në kuadër të këtyre zhvillimeve gjeopolitike dhe raporteve që ende i mban të forta me Federatën Ruse. Nuk ka mundësi që të vazhdohet tutje që Serbia të vazhdojë në dy drejtime, me Bashkimin Evropian për të marrë fonde e me Federatën Ruse për ta ruajtur miqësinë e përhershme që e ka me popullin rus”, ka thënë Raci.
E në BE nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me deklaratën e Vuçiqit dhe fushatën e zyrtarëve serbë kundër Kosovës.