Arbëri

Shihet si shqetësues lirimi “në procedurë të rregullt” i të dyshuarve për dhunë në familje

Në të paktën dy raste të ndryshme gjatë 24 orëve është raportuar për lirimin e të dyshuarve që janë raportuar në Policinë e Kosovës për dhunë në familje. Në Rrjetin e Grave të Kosovës thonë se kjo është praktikë që nuk duhet ndjekur pasi nuk vetëdijëson ushtruesit e dhunës dhe mund t’i vendosë në rrezik viktimat e dhunës në familje.

Prokurorë të prokurorive themelore në Prishtinë e Mitrovicë kanë vendosur të mos i ndalojnë për 48 orë, por t’i lirojnë të dyshuarit për dhunë në familje.

Në raportin 24-orësh të Policisë shihet se të dyshuarit për dhunë në familje nuk i është caktuar masa e ndalimit në një rast në Skenderaj, ku u gjetën edhe gëzhoja fishekësh në shtëpinë e të dyshuarit.

“Skenderaj. 20.08.2023 – 11:08. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, femër kosovare. Viktima ishte kanosur edhe nga i dyshuari tjetër mashkull kosovar. Lidhur me rastin njësitë policore gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve kanë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie me leje të skaduar me 237 fishekë, një karikatorë të pistoletës, një thikë të pushkës së gjuetisë, një shufër metali dhe 12 gëzhoja të fishekëve të kalibrave të ndryshëm. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, kurse viktima është dërguar në strehimore”, thuhet në raportin e Policisë.

Aty njoftohet edhe për një rast që ka ndodhur në Prishtinë.

“Prishtinë 20.8.2023-18:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje verbale është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar. Rasti është në procedurën të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Raportueset e dhunës në familje, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, më së shpeshti janë persona që janë sulmuar shumë herë para se ta raportojnë rastin në organet e rendit.

Adelina Berisha, menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë se është e pakuptimtë që të dyshuarit të lirohen të shkojnë në shtëpi e viktimat të detyrohen të ikin nga shtëpia.

Vendimet për lirim të të dyshuarve për dhunë në familje, sipas Berishës, janë të dëmshme për viktimat.

“Nëse nuk bëhet një vlerësim i mirë i rrezikut, kjo do të çojë edhe te lirimi i ushtruesit të dhunës, sepse fatkeqësisht ekziston ende tendenca që vetëm në rastet kur dhuna është e dukshme e është fizike institucionet tona e marrin dhe e trajtojnë me seriozitet. Vetë kemi dëgjuar deklarata të ndryshme nga prokurorë e gjyqtarë të cilët dhunën ekonomike, dhunën seksuale dhe dhunën emocionale e kanë të vështirë t’i evidentojnë, nuk po dinë si t’i evidentojnë”, theksoi Berisha.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ajo në Mitrovicë nuk kanë dhënë sqarime lidhur me rastet e lirimeve të të dyshuarve për dhunë në familje që u raportuan në 24 orët e fundit.

E në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Mitrovicë thonë se institucionet nuk po e përmbyllin ciklin e dhunës ndaj grave në atë mënyrë që ato të vazhdojnë tutje si të pavarura.

“Për ta bërë një zgjidhje të përgjithshme duhet të sigurohen banimi dhe punësimi”, thekson Fidane Hyseni nga kjo Qendër.

Ministria e Drejtësisë e ka themeluar një task-forcë që e udhëheq vetë ministrja Albulena Haxhiu, për t’u angazhuar lidhur me dhunën në baza gjinore.

KOHA ka pyetur nëse Ministria do t’i komentojë rastet e mosmbajtjes së të dyshuarve për dhunë në familje, si dhe për veprimet që janë ndërmarrë sa i përket sigurimit të punësimit dhe strehimit të viktimave të dhunës në familje, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

Në Rrjetin e Grave të Kosovës kanë thënë se nuk janë në dijeni të ndonjë rasti ku një viktimë e dhunës në familje e ka siguruar vendin e punës apo banimin shkaku i angazhimit të shtetit.

Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të 2023-tës janë shënuar 1525 raste të dhunës në familje, prej të cilave 1242 viktima ishin gra.