Arbëri

Bajrami-Nagavcit: Mos i lër fëmijët pa libra se këtë s’ta kanë borxh

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar të gabuar dhe të vonuar nismën e Ministrisë së Arsimit për transferimin e parave në xhirollogaritë e prindërve të fëmijëve sa i përket furnizimit me tekste shkollore.

Sipas Bajramit, MASHT-i ka dështuar pasi po i ngarkon prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat pasi sipas saj, ka marrë çmime të larta nga shtëpitë botuese.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo ka shtruar disa pyetje lidhur me këtë situatë.

“Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë? Çka nëse s'ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit? Mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme sepse shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it. Kush garanton se këto shtëpi botuese kanë me ulë çmimin në rast se librat blihen nga prindërit? Kush e monitoron furnizimin me libra të fëmijëve? Çka nëse kalojnë disa javë ose edhe muaj dhe nxënësit nuk arrijnë të furnizohen me të gjitha librat”, ka pyetur Bajrami.

Ministrja e Arsimit ka njoftuar se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave. Në konferencën e mbajtur për media të hënën, Nagavci ka thënë se mënyra e rimbursimit të mjeteve është dizajnuar në faqen e-Kosova.

“Mënyra se si është menduar të bëhet rimbursimi i mjeteve, ka të bëjë me derdhjen e mjeteve në xhirollogari të prindërve, është dizajnuar faqja në e-Kosova. I kemi të dhënat edhe nga ASHI-ja që pjesa më e madhe e prindërve tashmë i kanë të hapura llogaritë për shkak se marrin shtesa të fëmijëve. Pagesa do të bëhet paraprakisht, po synojmë t’i derdhim mjetet në llogaritë e prindërve e ato mjete më pas të shpenzohen për blerjen e librave, që do të thotë se nuk do të ketë nevojë të ofrohen fatura e të tjera”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka bërë të ditur se për t’i pranuar mjetet për blerjen e teksteve shkollore, prindërit do të duhet të aplikojnë.