Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se procesi i rishikimit të teksteve shkollore ka nisur, me rekomandime të Institutit Pedagogjik dhe të Avokatit të Popullit.
Nagavci u shpreh para mediave të hënën se gjetjet e këtyre dy institucioneve janë shumë të rëndësishme, derisa shtoi se disa tekste shkollore kanë përmbajtje diskriminuese “sidomos për persona me nevoja të veçanta”.
“Do të veçoj rishikimin e teksteve, pos shumë diskutimeve që kanë qenë publike, kemi filluar një rishikim të strukturuar të teksteve. Kemi një raport të Institutit Pedagogjik për rishikimin e teksteve me gjetje të rëndësishme. Kemi një raport të Avokatit të Popullit i cili vite më parë ka vlerësuar se tekstet shkollore janë diskriminuese, sidomos të personave me nevoja të veçanta, andaj ne i kemi adresuar këto. Së fundmi kemi filluar rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikes nga klasa e parë deri në të nëntën”, deklaroi ajo.
Ministrja Nagavci theksoi se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore ka qenë sfidues ndër vite, pasi siç tha ajo, procesi i furnizimit s’ka qenë gjithmonë i drejt dhe cilësor.
“Për vite me radhë, furnizimi i nxënësve me tekste shkollore ka qenë mjaft sfidues dhe kjo qoftë për shkak të sfidave, e qoftë se ky proces ka qenë jo gjithmonë i drejt dhe cilësor. Ndonëse që recensentët përzgjidhen me konkurs, ata duhet të jenë të pandikuar...Kemi pasur jo pak raste kur raportet e recensentëve kanë qenë të mangëta dhe jo në nivelin e duhur, e edhe raste kur kanë qenë të ndikuara. Vitin e kaluar i kemi pasur mbi 20 raste ndaj recensentëve duke ndaluar që ata të angazhohen në vlerësimin dhe rishikimin e teksteve. Përtej kësaj, kemi pasur raste të keqpërdorimeve dhe abuzimeve, e ka pasur dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore”, deklaroi ajo.
Ministrja e Arsimit përmendi një rast kur brenda një viti shkollor një tekst ishte shitur me një çmim prej 3 eurosh, e vitin pasues mbi 12 euro.