Arbëri

Anulohet vendimi i Themelores për vazhdimin e paraburgimit për dy muaj për Nagip Krasniqin

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore për zgjatjen e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të pandehurit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, sipas detyrës zyrtare, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 dt. 19.07.2023, anulohet dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, thuhet në pikën e parë të aktvendimit.

Sipas aktvendimit Krasniqi mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës së shkallës së parë.

Sipas Apelit vendimi i Themelores për vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin për dy muaj, “është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 e lidhur me nenin 188 të Kodit të Procedurës Penale”.

Për këtë arsye sipas Apelit vendimi detyrimisht duhej anuluar dhe kthyer në rivendosje, siç thuhet në mungesë të arsyeve për faktet vendimtare në këtë çështje penale dhe moszbatimit të dispozitave të KPPK-së.

“Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e ankimuar, nuk ka dhënë arsyet e duhura dhe të nevojshme sa i përket vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, që lidhen me pikën 1.2.2 të KPPRK-së e që kanë të bëjnë me rrezikun e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit apo falsifikimit të provave të veprave penale dhe pengimit të procedurës penale përmes ndikimit në dëshmitarë, në të dëmtuar apo bashkëpjesëmarrës të veprave penale”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 22 maj kishte vendosur që kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj. Për këtë kishte dërguar ankesë mbrojtja e Krasniqit.

Më 19 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin e KEK-ut. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Krasniqin.

Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut, e ka pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.

Image