Arbëri

Hajdari padit autorin e portalin që publikoi audio-incizimet dhe një zyrtar të MINT-it

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Gazetës Nacionale dhe një zyrtari të MINT-it, lidhur me përgjimet e publikuara nga mediumi.

Po ashtu, ka paditur edhe autorin e incizimeve të publikuara. 

Hajdari i ka quajtur të pavërteta e shpifje incizimet e publikuara ku dëgjohet në zyrtar i ministrisë që flet për kontrata për blerjen e grurit për rezervën shtetërore.

Reagimi i plotë i Hajdarit:

Sulmet e vazhdueshme shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm.

Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë.

Prandaj, sot për këtë qëllim, kam dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, kundër Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu.