Arbëri

Lajçak: Përshëndes vlerësimin e situatës në veri mes Policisë, KFOR-it e EULEX-it

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se e përshëndet vlerësimin e përbashkët të sigurisë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në veri, bazuar në dakordimin e arritur në Bratislavë javë më parë.

Laçjaku shkroi në Tëitter të enjten se ky është hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë të situatës në veri.

“Përshëndes vlerësimin e parë të sigurisë së përbashkët mes Policisë së Kosovës, Misionit të EULEX-it dhe KFOR-it, si është rënë dakord në Bratislavë. Ky është hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e tij.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Policia e Kosovës ka mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in, siç është paraparë me pikën 2 të Marrëveshjes së Bratislavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është se situata është e qetë. Nga nesër do të ulim prezencën e policisë edhe me 25% brenda dhe përreth ndërtesave komunale. Kosova po i zbaton zotimet e Marrëveshjes së Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në shtensionim”, ka shkruar ai.

Bashkimi Evropian kishte publikuar dakordimin me zyrtarët e institucioneve të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet se institucionet e sigurisë do të vlerësojnë situatën në veri.