Arbëri

Presidentja: Çdo dilemë ligjore rreth licencës së “KlanKosovës” duhet të sqarohet

Vendimi i Ministrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e certifikatës së KlanKosovës ka ngritur reagime në vend. Presidentja e Kosovës ka lëshuar po ashtu deklaratë lidhur me rastin.

Në një komunikatë të Presidencës është thënë se çdo dilemë ligjore që ekziston për këtë rast duhet të sqarohet, dhe se “presidentja pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.

“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”.

Presidenca ka theksuar se duhet të mbrohen dhe krijohen kushte për media të lira.

“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”, thuhet në deklaratë.