Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “KlanKosovës” për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion dhe se tash pala ankuese mund të parashtrojë padi në gjykatë, pasi rasti është mbyllur brenda Ministrisë.
“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”, thuhet në njoftim.
“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, ‘KGO Media Invest DOOEL’, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet tutje në njoftim të MINT-it.
Sipas Ministrisë, përpjekjet e “KlanKosovës” për t’i korrigjuar këto shkelje, nuk kanë shkuar deri në fund.
“Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për ‘pronarët e vërtetë të subjektit’ KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si ‘Kosovo’, ndërsa shteti i vet ende si ‘Serbia’, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë”, thuhet në reagim. “Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”
MINT-i po ashtu ka kujtuar se tashmë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj “KlanKosovës” dhe pronarëve të saj.
Pezullimi i certifikatës së biznesit të “KlanKosovës” pati nxitur reagime të shumta në mes të qershorit. Të shqetësuar me vendimin ishin shprehur përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë e Odat ekonomike.
KlanKosova në reagimin që ka publikuar, e ka hedhur poshtë dhe e ka konsideruar të padrejtë vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në ARBK lidhur me dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të televizionit.
"Klani i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës. Po ashtu, Klan Kosova bën me dije se do ta ushtrojë të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente", thuhet në reagim.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar në Twitter ndaj vendimit të MINT-it.
"Shumë shqetësuese: Mbyllja e njërës prej mediumeve më të mëdha në Kosovë do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medias", shkroi ai.
AGK-ja e tronditur me vendimin e Qeverisë për mbylljen e “KlanKosovës”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë Ministrisë së Industrisë për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas AGK-së, ky proces nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e kryeministrit Kurti.
“Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka thënë se beson që gjykata nuk do ta lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
“Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës”, përfundon reagimi.
Federata Evropiane e Gazetarëve: Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka thënë se Qeveria po e kufizon lirinë.
Ai i ka quajtur "ditë të zeza të censurës shtetërore", pasi MINT-i pezulloi veprimtarinë biznesore të “KlanKosovës” deri në vendim të gjykatës.
“Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën. Qeveria më në fund ia foli që ta mbyllë KlanKosovën. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt shtetin në iliberalizmin më konservator, me përçmimin më të madh të vlerave të BE-së”, ka shkruar ai.
Kusari: Qeveria Kurti sot morën vendim politik për ta mbyllur një media
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, e ka quajtur “vendim politik” refuzimin e ankesës së KlanKosovës për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion. Ajo ka thënë se është sulmi më i madh që i është bërë pluralizmit të medias dhe demokracisë në Kosovë nga një parti politike.
UNMIK për vendimin e MINT-it: Goditje për mediat e pavarura
Shefja e Misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka thënë se vendimi i MINT-it për KlanKosovën është “goditje për mediat e pavarura, duke nxitur shqetësime serioze mbi lirinë e mediave”.
“U bëj thirrje autoriteteve që të punojnë për të gjetur një rrugë për të siguruar se ato mund të vazhdojnë transmetimin, dhe të mbrojnë fushën mediatike të Kosovës dhe hapësirën për zëra të ndryshëm”, ka thënë ajo.
Hajdari arsyeton vendimin për KlanKosovën, i bën thirrje Policisë ta hetojë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar disa orë më vonë në Facebook. Ajo i ka bërë thirrje Policisë që të hetojnë “shkeljet ligjore” të KlanKosovës dhe zyrtarë të ARBK-së.
Hajdari ka thënë se një biznes nuk e amniston të qënit media.
“Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht... I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh”, ka shkruar ministrja.
Presidentja: Çdo dilemë ligjore rreth licencës së “KlanKosovës” duhet të sqarohet
Vendimi i Ministrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e certifikatës së KlanKosovës ka ngritur reagime në vend. Presidentja e Kosovës ka lëshuar po ashtu deklaratë lidhur me rastin.
Në një komunikatë të Presidencës është thënë se çdo dilemë ligjore që ekziston për këtë rast duhet të sqarohet, dhe se “presidentja pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.