Ekonomisti Florin Aliu deklaroi se Qeveria duhet të shqyrtojë mundësinë e privatizimit të ndërmarrjeve publike, pasi sipas tij, këto ndërmarrje sipas situatës aktuale, po shkojnë drejt kolapsit.
Ai tha në Interaktiv të KTV-së të hënën se ndërmarrjet si “Trepça” po operojnë me humbje të mëdha, e nëse nuk privatizohen, sipas Aliut, do të shiten, në mënyrë që paratë të transferohen në buxhetin e shtetit.
“Konkurrenca e lirë është ajo që e udhëheq inovacionin por rrit edhe standardin e jetesës. Ndërmarrjet duhet të shkojnë drejt privatizimit. Duhet të krijojmë bursën e Prishtinës që kapitalin ta listojmë atje. Që të mos jenë barrë e Qeverisë pasi nuk mendoj se do të bëhen profitabile për Kosovën. ‘Trepçës’ i duhen 2 miliardë euro investime, ku do t’i gjesh ato. Për plumbin e zinkun mund të mos ketë nevojë për to as tregu botëror. Problemi jonë është papunësia dhe niveli i ulët i të ardhurave. Liberalizimi i ekonomisë, shteti ka detyra rregullatorë. Ne po vuajmë pasi kemi rregullatorë të dobët. Në vende perëndimore rregullatorë janë njerëz që kanë përvojë. Rregullimi nuk do të thotë pengimi i tyre, por hapja e industrive”, deklaroi ai.
Sipas Aliut, liberalizimi dhe reformimi i sistemit ekonomik do të ndikonte në shtim të zhvillimit.
Ai deklaroi se Qeveria duhet të shqyrtojë edhe marrjen e ekspertëve ekonomikë nga jashtë, pasi sipas tij, në Kosovë ka mungesë të tyre.
“...Këto ndërmarrje do të shkojnë drejt shitjes ose bankrotimit, janë me borxhe të mëdha e nesër pasnesër do të transferohen në buxhetin e shtetit. E dimë si erdhi puna për ‘Trepçën’. Gjithmonë duhet të kemi kujdes edhe në raport me sistemin banka, edhe me bizneset. E vështirë një ndërmarrje publike të përcjellë dinamikën e bizneseve të tjera. Funksioni i Qeverisë është ulja e papunësisë. Fokusi duhet të jetë te rritja ekonomike. S’ka njerëz profesionistë brenda, kur s’ka i merr nga jashtë, ekspertë që zgjidhin probleme. Këtu shkojnë dëm para në projekte. Te Fondi Sovran është dashur të kishte ekspertë të ekonomisë që janë marrë drejtpërdrejt me këtë”, shtoi njohësi i tregjeve financiare.
Duke folur për Fondin Sovran, Aliu theksoi se ishte nismë pozitive, por nuk është program zhvillues për ekonominë e Kosovës. Sipas ekonomistit, për Fondin është dashur të bëhen studime paraprake, në mënyrë që të dihen anët pozitive dhe negative e tij.
Biseda e plotë:
Aliu në INTERKATIV ka thënë se kryeministri, Albin Kurti, nuk ka brenda eskpertë të Ekonomisë. [VIDEO]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.