Lirimi nga paraburgimi i tre serbëve që sulmuan gazetarët në veri, nga njohës të proceseve juridike është duke u konsideruar se është bërë me ndikim të politikës. E në Gjykatën Themelore në Mitrovicë thonë se vendimet për ndryshimin e masës nga ajo e paraburgimit në atë të dorëzanisë janë marrë në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale
Tre serbë të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri të Kosovës janë liruar nga paraburgimi brenda një jave.
Nemanja Vllaskoviqit e Dalibor Spasiqit në liri të mërkurën u është bashkuar edhe Urosh Vukasinoviqi.
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë i thanë KOHËS se tre personave të arrestuar në qershor masa e paraburgimit u është zëvendësuar me masën e dorëzanisë.
Në këtë gjykatë nuk bënë të ditur shumën që është paguar nga tre të pandehurit.
“Sa u përket personave të arrestuar për sulm ndaj gazetarëve gjatë muajit qershor janë gjithsej 3 persona, ndaj të cilëve është duke u zhvilluar procedura penale në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal dhe këto raste ende janë në fazën e hetimeve dhe tani në këtë fazë nuk kemi të bëjmë me vendime meritore lidhur me këto raste”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës. “Fillimisht të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit nga muaji qershor. Kjo masë tani është zëvendësuar me masën e dorëzanisë dhe shuma është caktuar në bazë të rrethanave të secilit rast veç e veç. Të pandehurit në procedurë janë shtetas të Republikës së Kosovës”.
Meritat për lirimin e tre serbëve nga paraburgimi i ka marrë Qeveria e Serbisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se do të vazhdojnë “të luftojnë” për bashkatdhetarët e tyre të arrestuar, sipas tij, padrejtësisht.
Këtë deklaratë të tij nuk kanë pranuar ta komentojnë në gjykatën në Mitrovicë.
“Gjykata nuk lëshohet në komentimin e çështjeve politike. Vendimet e Gjykatës janë çështje ligjore procedurale dhe Gjykata ka vepruar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Ndaj secilit vendim pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Vënien para drejtësisë të serbëve të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konsideronte të paalternativë.
Por, të enjten, në Ministrinë që ai drejton zgjodhën të heshtin karshi lirimit të tre serbëve të dyshuar.
“Duke njohur bashkërisht përgjegjësitë e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës, specifikisht në rastet të cilat i përmendni edhe ju dhe vendimet të cilat i ka marrë Gjykata, mirësisht kërkojmë nga ju që pyetjet t’i dërgoni tek organet përkatëse që kanë marrë vendimet për lirimin e tyre”, ka thënë Norë Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
E, Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, thotë se lirimi i tre serbëve është bërë me presion politik.
“Në njërën anë e shoh si presion të institucioneve vendore e ndërkombëtare për lirimin e tyre nën dorëzani, në mënyrë që të shtensionohet situata në veri. Në anën tjetër, nga aspekti ligjor është vendim tejet i gabuar, sepse kemi raste të tjera kur vepra penale është e njëjtë dhe të njëjtëve u vazhdohet paraburgimi duke refuzuar po ashtu edhe këtë kërkesën e mbrojtjes për dorëzani”, ka thënë Nrecaj.
Gjatë tensioneve që shoqëruan veriun gjatë muajve maj dhe qershor, përveç zyrtarëve policorë e ushtarëve të KFOR-it, nga protestuesit u sulmuan edhe punëtorë të mediave. Sulmet ndaj tyre u dënuan nga institucionet vendore e ndërkombëtare.