Arbëri

Bislimi: Plani i BE-së u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Ai ka thënë se është parë nevoja që të punohet edhe më tej në konkretizimin e disa dokumenteve që janë të rëndësishme për të siguruar një zbatim të plotë të marrëveshjes bazike.

Ka deklaruar se me Lajçakun kanë diskutuar katër tema.

“Tema e parë është plani i sekuencimit. Ne kemi brenga me draftet e deritanishme që Lajçaku u ka dërguar palëve tona. Ne mendojmë që ai plan është selektiv dhe u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit, nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim”, ka thënë ai.

Bislimi ka potencuar se Bashkimit Evropian ia kanë listuar të gjitha obligimet që bien mbi palën serbe.

Sipas tij, tema e dytë ka qenë për temat e referencës të komisionit të përbashkët për personat e pagjetur.

Ka shtuar se Kosova ka pasur disa komente të cilat janë mbështetur në përgjithësi nga Lajçaku.

“Kemi diskutuar edhe temat e referencës për komitetin e përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazë. Komiteti nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe tema e katërt është tema e energjisë”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se në takimin në Bratislavë me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, janë dakorduar për një aranzhim mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, të datës 3 qershor.

“Dakordimi tregon se ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe u përgjigjet kërkesave të Bashkimit Evropian. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe për ne është habi që 8 ditë pas dakordimit në Bratislavë, ende s’kemi një letër shpjeguese nga ana e z.Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit të BE-së”, shtoi ai.

Sipas kryenegociatorit të Kosovës, ende s’janë zbatuar të gjitha masat e parapara pasi ende s’janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore, por siç theksoi ai, në Bratislavë ka treguar për mënyrën e daljes nga kriza.

“Nuk mund të themi që i kemi zbatuar të gjitha masat për arsye që një prej masave është edhe mbajtja e zgjedhjeve por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës. E mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i Bashkimit Evropian për vendosjen e masave ndëshkuese. Tash gjetja e rrugës nënkupton edhe instrumentin apo mekanizmin e heqjes së masave ndëshkuese”, ka thënë Bislimi.

Ai ka shtuar se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet plotësisht, derisa ka shtuar se është kërkuar nga pala kosovare që të ketë qartësim të plotë të hapave, në mënyrë që të respektohet kriteri i BE-së.

“Nga masat që i kemi propozuar në takimin bilateral me z.Lajçak, kemi treguar se për secilën masë apo veprim, se nga cili nen i marrëveshjes Bazike buron dhe kemi kërkuar interpretim nga Bashkimi Evropian se a pajtohen që kjo masë buron nga marrëveshja bazike apo jo. Dhe nëse BE-ja ka brenga se ne po fusim diçka në plan të zbatimit që nuk dervion nga marrëveshja bazike, atëherë mund të diskutojmë. Për aq kohë sa nuk komentohet që kërkesat e Kosovës nuk derivojnë nga marrëveshja bazike, është problem për BE-në të thotë se këto s’mund të jenë pjesë e zbatimit, pasi marrëveshja bazike duhet të zbatohet në plotëni. Kemi kërkuar të kemi qartësim të plotë të hapave në mënyrë që të respektohet kriteri i vënë nga BE-ja ku thuhet se zbatimi duhet të ketë një mënyrë konsekutive (Kosova bën diçka, Serbia bën diçka). Për çdo veprim që kërkohet nga Kosova, kemi kërkuar të dimë cili është kundërveprimi i Serbisë”, ka thënë Bislimi.

Ai është shprehur se do të jetë problematike për palën serbe të argumentojë se s’do ta zbatojë një pjesë të Marrëveshjes, ose nëse kërkojnë që pjesa kryesore e Marrëveshjes të zhvendoset në fund.

Ai ka folur edhe për çështjen e energjisë.

“Tema e katërt ishte çështja e energjisë. Si duket në takimin e fundit që e kemi pasur në Bruksel ka pasur një keqinterpretim nga ana e Brukselit për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe mendojmë se jemi shumë afër të nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit”.

E, Lajçaku ka shkruar në Twitter për takimin me të dy kryenegociatorët. Ai ka thënë se diskutuan “një listë të gjatë çështjesh të dialogut duke filluar me implementimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe depërshkallëzimin në veri”.

Lajçak ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë në periudhën në vazhdim.