Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës të martën ështe mbledhur për të diskutuar zhvillimet në vend.
Kryetari i saj, Memli Krasniqi, ka thënë se vendi ka ardhur në krizë politike për shkak të veprimeve të papërgjegjshme dhe “të fshehta” të Qeverisë.
Aty u fol edhe për rrahjen në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar. Krasniqi ka thënë se ajo ishte orkestrim i Qeverisë për ta tërhequr vëmendjen.
“Sipas Kryetarit Krasniqi, i gjithë ky orkestrim i Qeverisë ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet - koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar sqarim për përgjimet e nxjerra mes shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Slavko Simiqin e Listës Serbe, dhe i ka kërkuar Qeverisë që të tregoj se çfarë po ndodhë me situatën në pjesën veriore të Kosovës.
“Pse lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it? Për të gjitha këto veprime dhe takimet e fshehura dhe të paparalajmëruara të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me ata të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian – PDK kërkon transaprencë dhe llogaridhënie të plotë”, thuhet tutje.
PDK-ja ka përsëritur se duhet të shkohet në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
“PDK do të përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe, karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ndalojë shkatërrimin e së ardhmes së shtetit të Kosovës, të ruaj interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës”.