Arbëri

“Skandaloze dhe e turpshme”, deklarata e Sveçlës për veteranët nxit reagime të ashpra

Lidhshmëria që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i bëri protestës së sotme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me luftën hibride nga Serbia, ka nxitur reagime të ashpra në opinion. Deklaratat e Sveçlës janë vlerësuar si skandaloze dhe të turpshme nga krerët e partive politike opozitare. 

Pak orë para se të nisë protesta e veteranëve të UÇK-së, ministri Sveçla hodhi akuza të rënda drejt organizimit të saj. Sveçla ka thënë se meqë presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti, tani, sipas ministrit të Brendshëm, Vuçiqi është fokusuar në luftën hibride për nxitje të trazirave brenda Kosovës. Si nxitje të trazirës, e konsideroi protestën e sotme të veteranëve.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i konsideroi deklaratat e Sveçlës si provokim për të eskaluar protesta. Për këtë, Krasniqi u bëri thirrje veteranëve që të vetëpërmbahen.

“Qeveria kërkon përplasje. Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha - Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Qeveria, sipas kreu të opozitës, e ka humbur arsyen dhe tani kërkon shpëtimin në përplasje civile.

E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi shkarkimin e Sveçlës për shkak të “deklaratave ofenduese, nxitëse e të pamatura”.

"Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve - edhe nëse s’pajtohemi me ta - është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurtit që t’i tërheqë “sejmenët e tij” dhe të ndalojë përçarjen e ndarjen e popullit.

“Pushteti nuk është gjithçka. Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t'ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë. Unë sot jam me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Reagim për deklaratat e Sveçlës pati edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK-ja e ka parë me shqetësim postimin e ministrit Sveçla, “në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve”.

Ndërkohë, ka dënuar gjuhën ndaj dy pronarëve të mediave të cilët i ka përmendur Sveçla.

“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, thuhet tutje në reagim.

Reagim për deklaratat e Sveçlës ka pasur edhe nga deputetë të ndryshëm opozitarë.

Për protestën e mundshme nga veteranët po diskutohej që nga publikimi i disa incizimeve ku përfshihet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq. Mospërfshirja e veteranëve në Ligjin për pagën minimale të enjten “vulosi” ditën e protestës.

Protesta pritet të mbahet sot nga ora 18:00 në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.