Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri, e cila mundësoi zvogëlimin e pranisë policore rreth objekteve komunale, nuk i ka larguar nga rruga protestuesit serbë, të cilët edhe të enjten kanë qëndruar afër godinës së Zveçanit. Sigurinë përreth objektit vazhdon ta garantojë KFOR-i, ndërsa afër tij shihen edhe vetura të Policisë së Kosovës
Prani më të ulët policore ka pasur të enjten rreth ndërtesave komunale në veriun e populluar me shumicë serbe, pas dakordimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në këtë pjesë të vendit. Por kjo nuk e ka ndryshuar situatën në Komunën e Zveçanit, e cila muajin e kaluar ishte epiqendra e përplasjeve mes ushtarëve të KFOR-it e protestuesve të dhunshëm.
Sigurinë përreth objektit të Komunës vazhdojnë ta garantojnë pjesëtarët e KFOR-it turk, derisa aty shihet edhe një veturë e Policisë së Kosovës. Ndërkaq disa metra tutje para objektit komunal vazhdojnë të qëndrojnë disa protestues serbë.
Nën hijen e tendave të vendosura protestuesit qëndrojnë në zonën jashtë perimetrit të KFOR-it, diku rreth 50 metra larg objektit komunal. Pranë protestuesve është i vendosur edhe një baner i madh me mbishkrimin “Zveçani është i vjetër”.
Fare pranë barrierave të hekurit qëndrojnë disa pjesëtarë të KFOR-it. Ata kërkojnë edhe prej mediave që të mos i afrohen pengesës, sipër së cilës janë vendosur disa flamuj serbë.
Në pjesët e tjera të qytetit jeta vazhdon normalisht, derisa është shtuar edhe qarkullimi i veturave.
Protestat e serbëve nisën më 26 maj, kur nën asistimin e njësive speciale të Kosovës në objektin komunal shkoi kryetari i ri, Ilir Peci. Tri ditë më vonë ndodhi përplasja e madhe, ku protestues të dhunshëm plagosën rreth 30 ushtarë të KFOR-it. Përveç mjeteve të forta ishin përdorur edhe armë zjarri.
Ndryshe prej Zveçanit, pamje tjetër është në Komunën e Zubin-Potokut. Pengesat e hekurit para objektit komunal pamundësojnë hyrjen në objektin e Komunës. E pak metra tutje në hijen përreth godinës komunale janë disa policë të rregullit. Pranë zonës nuk ka asnjë pjesëtarë të njësive speciale.
Dera hapur, por nuk ofrohet asnjë shërbim
Dera e Komunës vazhdon të jetë e hapur, por prej 29 majit aty nuk ofrohet asnjë shërbim.
Ndërkaq në pjesën sipër ndërtesës vazhdon të valëvitet flamuri i Kosovës. Gjurmë të protestave dhe mbishkrimeve serbe shihen ende.
“Këtu jemi, presim”, shkruan në grafitin e vendosur tek objekti komunal. Afër tij është grafiti tjetër me logon e organizatës “Brigada e Veriut”, të cilën së fundmi Qeveria e shpalli organizatë terroriste krahas formacionit “Mbrojtja Civile”. Pjesëtarë të këtyre organizatave dyshohet se gjatë protestave në veri kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Ata pak qytetarë që kalojnë afër objektit komunal refuzojnë të flasin për mediat shqiptare.
Kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri, pati shkuar në zyrë vetëm më 29 maj. Prej atëherë detyrën e ka ushtruar në zyrën alternative. Njësoj ka vepruar edhe Ilir Peci në Zveçan, që po ashtu vjen nga radhët e PDK-së.
Kërkesa e serbëve vazhdon të jetë edhe largimi nga objekti komunal i kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili nuk ka dalë nga zyra për më shumë se një muaj.
Marrëveshja
Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit të hënën, në takimin që kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, e zhvilloi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Për dy javë duhet të përfundojnë katër hapat e dakorduar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Pika e parë, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe përreth ndërtesave komunale, duhet të përfundojë në javën e parë. Në këtë pikë thuhet po ashtu se “Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në shtensionimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të përshkallëzojnë situatën në veriun e vendit”.
Kryeministri Albin Kurti në seancën e së enjtes të Kuvendit tha se policia nuk është tërhequr nga veriu, por se 25 për qind e policëve janë tërhequr vetëm nga ndërtesat komunale. Sipas tij, në atë pjesë aktualisht janë të dislokuar mbi 800 policë, të cilët janë edhe nga komunitetet e tjera.
Pika e dytë, që sipas këtij orari veprimesh parashihet të nisë në javën e parë e të përcillet në mënyrë të vazhdueshme, është ajo që Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe përreth ndërtesave komunale”.
Pika përmes së cilës Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës, duhet të bëhet në javën e parë, e të finalizohet “sa më shpejt që të jetë e mundshme”.
“Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë pikë.
Vetëm një pikë është paraparë për javën e dytë. Bëhet fjalë për ftesën e Bashkimit Evropian për kryenegociatorët në Bruksel, me synim finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjeve.
Shkaku i situatës në veri, Bashkimi Evropian i kishte vendosur edhe sanksione Kosovës.
Pas marrëveshjes për shtensionim Qeveria pret që ato të hiqen.
Sanksionet përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, mosdërgimi i ftesave për zyrtarët e Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Janë pezulluar edhe programet për Kosovën nga IPA 2024 dhe po ashtu nuk janë dorëzuar para Bordit për shqyrtim më 29 dhe 30 qershor propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.