Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi se biseda e Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me Listën Serbe, e dëgjuar në përgjime, është akt kundër shtetit të Kosovës. Si rrjedhojë, sipas tij, Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai deklaroi në “Konfront” të KTV-së të mërkurën se biseda e Kusari-Lilës është edhe kundër aleatëve të Kosovës dhe fyerje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Përgjatë debatit që kemi pasur për veteranët, e kemi pasur të qartë se diçka nuk shkon me këtë Qeveri. Por, përgjimet tregojnë se problemi ka qenë që zonja Kusari-Lila ka ndarë këtë temë dhe ka diskutuar me Simiqin, që është punëtor i Radojçiqit. Qeveria i ka borxh qytetarëve një shpjegim. Pas këtij shpjegimi, asnjë ditë kjo qeveri s’duhet të rri. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha Gruda.
Sipas zyrtarit të partisë opozitare, për gjithçka që Qeveria Kurti është votuar nuk ekziston më, ndërsa tha se këto përgjime shfaqin një skandal “më të madh se Pronto”.
“Kjo është më skandaloze se Prontoja. Është një akt kundër interesit kombëtar dhe është akt kundër një shtrese që përfaqëson shtresën më përfaqësuese”, u shpreh ai.