Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në takimin që kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar të hënën me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Kosova është pajtuar që menjëherë të zvogëlojë praninë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri, siç thuhet, për 25%.
Në një komunikatë për media të Qeverisë thuhet se fokusi i këtij takimi ishte krijimi i parakushteve për përforcim të fokusit në zbatimin e plotë dhe të pakusht të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të Ohrit të datës 18 mars.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZvogëlimi i pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale është pika e parë e dakorduar sipas Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë që është postuar në Facebook.
Pika tjetër e dakorduar është ajo që “Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.
Pika e tretë është ajo për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri.
“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës. Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë pikë.
Në pikën e katërt të listuar nga Qeveria, thuhet se BE-ja do ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit theksohet se do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.
Veprimet e sipërpërmendura thuhet se do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.
Fillimisht Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media për pikat e dakorduara ka shkruar se dakordimi “përfshin një zvogëlim të menjëhershëm në masën e 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, ndërsa më pas në riformulim është ndryshuar duke thënë se “kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.