Në 24 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Ambasada amerikane në Beograd, i ka kërkuar Serbisë që të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin vrarë më 7 korrik të vitit 1999. Ata ishin arrestuar në korrik të vitit 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, kur ishin duke kaluar gabimisht kufirin në Serbi. Ajo që dihet është se me gjithë vendimin e një gjykatësi për lirimin e tyre, ata u morën nga një njësi serbe e operacioneve speciale, u ekzekutuan dhe u lanë sipër një varri masiv.
Ata ishin shtetas amerikanë gjatë asaj periudhe dhe që nga vrasja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyqi u ekzekutuan derisa ishin të paraburgosur nga policia speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës. SHBA-të i bëjnë sërish thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Serbi, në Twitter.
Autoritetet serbe nuk kanë ngritur asnjë akuzë ndaj personave që kanë qenë pjesë e zinxhirit të komandës në Ministrinë e Brendshme dhe që kanë pasur lidhje me këtë krim.