Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi se problem evident është mosadministrimi i duhur i Testit të Arritshmërisë, në të cilin, ai tha se nxënësit kopjojnë, e për këtë janë mbështetës edhe prindërit.
Ai deklaroi në “Konfrontin” e KTV-së se shprehia e kopjimit në shkolla nis nga klasa e parë, ndërsa shtoi se kërkesa për largimin e këtij testi është e paarsyeshme.
“Testi i Arritshmërisë është instrumenti i vetëm që ka shteti për të matur aftësitë dhe shkathtësitë e nxënësve. Defektet e këtij testi qëndrojnë te mungesa e standardizimit...Është edhe fenomen i menaxhimit jo të mirë, pasi ky test menaxhohet nga komunat, e jo nga niveli qendror. Pastaj, krejt kjo bënë që të ketë kopjtime. Kjo dukuri mësohet nga klasat e para, e për fat të keë shpeshherë edhe prindërit janë mbështetës të kësaj. Dhe pastaj ata e zbatojnë këtë në moshën 14-vjeçare. Kur kërkohet të hiqet testi i arritshmerise, mendoj se kjo s’është kërkesë që duhet të mbështetet”, deklaroi Pupovci.
Ndërsa, edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, tha se mosadministrimi i mirë i procesit të Testit të Arritshmërisë e dëmton këtë proces vlerësues.
Ai deklaroi se problemi i administrimit është i vetëdijes së njerëzve.
“Nxënësit kopjojnë, prindërit bëjnë intervenime te mekanizmat atje, shkolla do të dalë sa më mirë. Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) do të dalë sa më mirë”, shtoi ai.