Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama nga Shkupi: Kam shpresë që Albini s’e ka harruar Kanunin, edhe hasmit i hapet dera

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka ende shpresa që sot pasdite do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë konferencë për media në Shkup, së bashku me Dimitar Kovaçevskin, Rama ka thënë “se sipas Kanunit edhe hasmit i hapet dera kur të vjen në shtëpi”.

“Në Kosovë kur të shkoj, kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin, që kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar deri kur ai të mbarojë fjalën”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se me Ramën do të takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive. Mbledhja e qeverive e paraparë të mbahej më 14 qershor, ishte anuluar nga Rama. Rama kishte kërkuar të organizohej një takim i formatit më të shkurtër, gjë që e refuzoi Kurti. Sot Rama ka njoftuar se i janë dërguar Kosovës 13 marrëveshje të nënshkruara nga pala shqiptare, marrëveshje që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhje të qeverive.

Duke folur për iniciativën “Ballkani i Hapur”, Rama ka thënë se kush nuk ka marrë pjesë në të ka gabuar.

“Çfarë të keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit? Shihni shifrat e tregtisë. Nuk e kuptoj se si ka akoma dyshime kur faktet flasin qartë. Sa i përket vëllazërisë apo gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot, nuk ka rrugë më të gabuar të rrimë në të shkuarën, të grindemi se kush është patrioti më i vërtetë, patrioti më i vërtetë është ai që do vendin e vet dhe që nuk i do të keqen. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim”.

Edhe Osmani takon Ramën, Hovenieri i pranishëm Arbëri Osmani takon Ramën, Hovenieri i pranishëm

Rama ka thënë se “Ballkani i Hapur” ka qenë një nismë që filloi pasi procesi i Berlinit nuk po ecte. Ai ka shtuar se “duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në procesin e Berlinit për ta kthyer në proces funksional siç Ballkani i Hapur tregoi”.

“Shpresoj t’i japim një shtysë të re, jemi në një moment të një kapërcimi në një fazë të re të BE-së, është një urë këmbët e tij duhen forcuar. Jeta e bukur është se secili mund të këndojë këngën e vet jetojmë në liri dhe demokraci, kush mendoi se Ballkani i Hapur dështoi le ta këndojë”, ka deklaruar Rama.