Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ka folur për masat që Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar se do të marrë ndaj Kosovës.
Sipas Kurtit BE-ja tek Kosovë e gjen partnerin më të sinqertë në rajon.
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian, një listë të masave kundër
Kosovës. Bashkim Evropian te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë në rajon, parimeve demokratike dhe interesave afatgjata. Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj Qeverinë”, ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se kanë qenë kritikë në disa raste ndaj BE-së, por se nuk janë treguar cinikë e të hidhëruar.
“Në raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinikë e as të hidhëruar, nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar, dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim ketë e bëmë duke besuar se në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni sepse besojmë në këtë union, të njëjtin besim e kemi edhe sot”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se e vlerësojnë përkrahjen dhe ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim. “Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë”, është shprehur Kurti.
Në diskutimin që të martën është mbajtur në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ka paralajmëruar se do të merren një sërë masash ndaj Kosovës.
Masat e paralajmëruara përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe mosprocedimin në këtë moment të propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor. Koopman ka theksuar se masat do të hyjnë në fuqi në fund të kësaj jave.
Por disa eurodeputetë kanë ngritur pyetje se pse masat po merren vetëm ndaj Kosovës.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka pyetur emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se “pse po i bëhet thirrje vetëm Kosovës”.
“A mund ta shpjegoni se pse mbi një dekadë, nuk kemi marrë një qëndrim më të fortë ndaj dikujt që e ka kthyer eskalimin e deeskalimin në një lloj arti. Së fundi, pas mosnënshkrimit të marrëveshjes, duke u kthyer në Beograd, z. Vuçiq fyu në parim marrëveshjen e arritur. Disa ditë më vonë një komisioner shkon në derë me 600 milionë euro. Ky është sinjal që nuk na duhet kur kemi të bëjmë me autokrat”, ka thënë Reuten
Lajçaku ka thënë se ai nuk është përgjegjës për masat që merren.
Ndërsa Koopman, ka thënë se masat janë adresuar vetëm tek Kosova, pasi që sipas tij Serbia është duke bërë atë që po i kërkohet.
"Masat janë adresuar tek njëra palë, sepse pala tjetër është duke bërë atë çfarë po kërkohet, për këtë arsye masa ndaj saj nuk janë marr”, ka theksuar ai, pa sqaruar se cilat kërkesa i ka plotësuar pala serbe.