Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se do të jetë hera e parë në histori që Komisioni Evropian vendos masa ndaj një shteti, e të cilat nuk mund t’i artikulojë.
Sipas saj këto masa po paralajmërohen për shkak se Kosova po tenton të vendosë sundimin e ligjit në tërë territorin e saj.
“Do të jetë hera e parë në historinë e Bashkimit Evropian dhe ndoshta e fundit që Komisioni Evropian vendos masa ndaj demokracisë për arsye që nuk mund t’i artikulojë. Ose, mund të jetë pse, Kosova u përpoq të zgjeronte sundimin e ligjit në territorin e saj, se mbajti zgjedhjet dhe respektoi rezultatet”, ka shkruar Kusari-Lila në Twitter.
Në diskutimin që të martën është mbajtur në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ka paralajmëruar se do të merren një sërë masash ndaj Kosovës.
Masat e paralajmëruara përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe mosprocedimin në këtë moment të propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor.
Por disa eurodeputetë kanë ngritur pyetje se pse masat po merren vetëm ndaj Kosovës.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka pyetur emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se “pse po i bëhet thirrje vetëm Kosovës”.
“A mund ta shpjegoni se pse mbi një dekadë, nuk kemi marrë një qëndrim më të fortë ndaj dikujt që e ka kthyer eskalimin e deeskalimin në një lloj arti. Së fundi, pas mosnënshkrimit të marrëveshjes, duke u kthyer në Beograd, z. Vuçiq fyu në parim marrëveshjen e arritur. Disa ditë më vonë një komisioner shkon në derë me 600 milionë euro. Ky është sinjal që nuk na duhet kur kemi të bëjmë me autokrat”, ka thënë Reuten
Lajçaku ka thënë se ai nuk është përgjegjës për masat që merren.
Ndërsa Koopman, ka thënë se masat janë adresuar vetëm tek Kosova, pasi që sipas tij Serbia është duke bërë atë që po i kërkohet.
janë adresuar tek njëra palë, sepse pala tjetër është duke bërë atë çfarë po kërkohet, për këtë arsye masa ndaj saj nuk janë marr”, ka theksuar ai, pa sqaruar se cilat kërkesa i ka plotësuar pala serbe.