Arbëri

Sveçla – Beogradit: Tërhiqu nga dëshira për eskalim në vendin tonë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje Beorgadit që të heqë dorë nga tentativat për eskalim në Kosovë. Ai ka thirrur edhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë kundër veprimeve të Serbisë.

“I bëjmë thirrje Beogradit të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë,. I bëjmë thirrje faktorin ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënoj sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës. Qytetarëve u bëjmë thirrje të informohen nga kanalet zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave”, ka thënë ai në konferencën e jashtëzakonshme për media pas gjetjes së një sasie të madhe armatimi në Zveçan një ditë më parë.

Sveçla ka deklaruar se do të kërkojë që organizatat “Severna Brigada” dhe "Mbrojtja Civile" do të shpallen terroriste.

“Ditëve në vijim do kërkoj nga Qeveria që organizatat, Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen organizata terroriste me çka lufta ndaj tyre do jetë edhe më efikase”.

Sveçla ka thënë se në mesin e gjërave që janë konfiskuar nga vetura me targa serbe më 23 qershor në Zveçan, ka pasur edhe radiolidhje të cilat kanë qenë të njëjta me ato që janë konfiskuar nga zyra e Aleksandër Filipoviqit – ish-zyrtar i lartë policor i Republikës së Kosovës.

“Ka radiolidhje të njëjta me ato të konfiskuara në zyrën ilegale të Aleksandër Filipoviqit në Leposaviq. Aleksandër Filipoviq ka qenë ish-shef i operativës në drejtorinë rajonale të veriut që është dekoruar nga Vuçiqi. Këto radiolidhje janë të njëjta me radiolidhjen që është gjetur në zyrën e tij e që janë pajisje të formacionit terrorist e kriminal. Këto mjete kishin qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve e institucioneve të Kosovës. Këto janë dëshmi se Vuçiq përmes grupeve e organizimeve të tilla tenton ta destabilizojë vendin tonë”, ka shtuar ai.

Ministri ka theksuar se kontingjenti i armëve të kontrabanduara në Kosovë është më i madh se aq sa janë konfiskuar deri tash. Ka shtuar tutje se armatimet që vijnë në Kosovë janë furnizim nga ushtria serbe pasi janë armatime të reja.

“Është e qartë kush qëndron pas sulmeve dhe përpjekjeve terroriste brenda vendit tonë. Këto prova të gjetura në veturën e institucioneve të Serbisë, radiolidhje të zyrtarëve serbë në Kosovë, simbole të Rusisë dhe organizmi terrorist. Panorama është e qartë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, pra nuk janë armë që kanë mbetur nga lufta, por janë të furnizuara drejtpërdrejt nga ushtria e Serbisë. Doza e dhunës dhe kriminalitetit nga Serbia veçse po rritet, bandat kriminale tash veç janë shndërruar në organizime terroriste”, ka deklaruar Sveçla.

Sveçla ka thënë se kohët e fundit agresioni i Beogradit është edhe më i madh.

“Që nga paslufta Kosova ka vijuar të përballet me agresionin e Beogradit. Posaçërisht kohët e fundit dora e zgjatur e tyre ka nisur terrorizmin kundër PK-së, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it e gazetarëve. Jemi dëshmitarë, situata ka degraduar në kulm pas agresionit të Serbisë me ç’rast janë kidnapuar tre policë”.