Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka njoftuar se gjendja shëndetësore e tre policëve të kidnapuar nga forcat serbe është e mirë dhe se sipas informacioneve që ka, nuk janë keqtrajtuar gjatë ndalimit.
I ftuar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, Zeqiri ka treguar edhe për atë se si e kanë pritur familjarët e policëve rrëmbimin e tyre.
“Informacionet që i kemi ne përmes këtyre organeve ndërlidhëse vendore dhe ndërkombëtare, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Nuk ka ndonjë informacion që janë keqtrajtuar përveç atyre pamjeve të publikuara gjatë rrëmbimit. Shqetësimi i familjarëve ishte jashtëzakonisht i madh sepse e dini që familjarët e tyre ishin të rrëmbyer dhe në dorën e dikujt që nuk na e do të mirën. I mbante krenaria sepse edhe ata e dinin pse ata janë sakrifikuar, aq sa ishin të shqetësuar ndiheshin edhe krenarë sepse nuk kishin bërë asgjë të keqe, por mbronin vendin e tyre”, ka thënë ai.
Zeqiri ka shtuar se policët e kidnapuar janë përfaqësuar nga një avokat i shtetit serb, pasi që mbrojtja e tyre duhet të jetë i licencuar në avokaturën e shtetit ku ndodhen të ndaluarit.
“Ata kanë pasur avokat sipas detyrës zyrtare, por avokat i shtetit serb, përndryshe për ta dërguar një avokat nga këtu ai duhet të jetë i licencuar edhe në avokaturën e shtetit ku ndodhen pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në këtë rast në Serbi, prandaj nuk kam informacion se kanë dërguar ndonjë avokat”, është shprehur ai.
Siç ka bërë të ditur ai, nga sulmet në protestat e dhunshme në veri kanë mbetur të lënduar shtatë zyrtarë policorë, por që të gjithë kanë pësuar lëndime të lehta.
“Deri më tani kemi shtatë zyrtarë policorë të lënduar, për fat të mirë me lëndime të lehta dhe që të shtatit i janë kthyer detyrave të rregullta të punës”, ka theksuar ai.