Arbëri

Kurti: KFOR-i kishte mandat ta parandalonte sulmin kidnapues

20:47 - Kurti: Serbia eskalon sepse rrëmben ata që deeskalojnë

Image

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova arreston ata të cilët eskalojnë, duke iu referuar arrestimit të udhëheqësit të “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviq, ndërkaq Serbia po e bën të kundërtën, po eskalon duke rrëmbyer ata që deeskalojnë.

Gjatë raportimit të tij në Kuvend të enjten lidhur me situatën e krijuar në veri së fundmi, Kurti ka thënë se arrestimi i Llunës është deeskalim sepse ai bënte eskalim.

“Arrestimi i Milun Milenkoviqit-Llunës është deeskalim sepse ai bënte eskalim, ndërkaq rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq është eskalim. Ne arrestojmë ata që eskalojnë, ndërkaq përkundrazi, Serbia eskalon sepse rrëmben ata që deeskalojnë”, ka thënë ai.

Duke iu përgjigjur opozitës lidhur me mosreagimin e faktorit ndërkombëtar për situatën në veri, Kurti ka kërkuar nga ta që t’i pyesin vetë ndërkombëtarët për këtë çështje.

“Edhe unë besoj që është dashur të reagojnë ata (v.j. bashkësia ndërkombëtare). Mirëpo, për dallim prej Serbisë ku faktorët ndërkombëtarë nuk e takojnë aq opozitën, por vetëm krerët shtetërorë sepse është regjim hibrid, te ne ndërkombëtarët vazhdimisht kanë komunikim edhe me opozitën, andaj pyesni edhe ata drejtpërsëdrejti, unë nuk kam nevojë të përgjigjem në vend të KFOR-it pse KFOR-i nuk ka përgjigje. Lirisht në takimet që i keni, jeni më shumë se të mirëseardhur ta pyesni KFOR-in pse nuk ka reagim kur janë bërë më shumë se 31-orë nga rrëmbimi i tre policëve tanë. Ne jemi për partneritet me KFOR-in, por për këtë gjë nuk mungon aktiviteti i Qeverisë, përkundrazi pala tjetër do të duhej të na përgjigjej më shumë dhe më mirë”, ka thënë ai.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se KFOR-i do të duhej të ndërhynte ndaj kidnapimit të policëve në Leposaviq nga forcat serbe, pasi siç tha ai, kjo ishte përgjegjësi e këtij institucioni.

Ai deklaroi të enjten në Kuvendin e Kosovës se ende është në pritje të përgjigjes dhe marrjes së përgjegjësisë efektive.

“Ne ende jemi në pritje të KFOR-it të marrjes së përgjegjësisë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë t’i kthejë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, të sovranitetit por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës. Dje është shkelur pika 4, e datës 9 qershor, 1999. KFOR-i pra nuk do të duhej të ishte i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues që kishte edhe mandat të parandalonte. Nëse e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur që dihet me ligj, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, e do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha Kurti.

Sipas tij, ajo që ndodhi të mërkurën në veri ishte hakmarrje e Serbisë dhe agresion.

“Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë ,e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit , është jo vetëm mendësi barbare, por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, ka despotët e verilindjes, e jo kah BE-ja e SHBA-ja. Hakmarrja në formën më çnjerëzore e qyqare të denoncohet hapur e të kundërshtohet me forcën e ligjit. Qeveria do të bëjë gjithçka t’i lirojë nga kidnapimi policët”, shtoi ai.

“Tash ku bëhen 30 orë të kidnapimi e ende s’e kemi deklaratën zyrtare të KFOR-it. Kam shprehur edhe protestën time për heshtje, edhe kërkesën për reagim urgjent...Në vend të ngjarjes janë gjetur gjurmët e këpucëve që shkojnë drejt territorit të Serbisë, të veturave e të prangave plastike të kidnapimit. Bëhet fjalë për një agresion me arrogancë, nuk janë përpjekur t’i fshehin gjurmët, synimi ka qenë të bëhet e ditur se ata kanë qenë aty”.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përgjegjësi efektive nga KFOR-i për funksionin e saj të mbrojtjes në veri. Ai ka thënë se KFOR-i është dashur ta mbronte Kosovën në pjesën veriore, në momentin kur forcat serbe kidnapuan tre policë të Kosovës brenda territorit të Kosovës.

“Po presim nga KFOR-i të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë personat e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë edhe të pikës së katërt të Marrëveshjes së Kumanovës. KFOR-i s’duhet të jetë i heshtur as i përulur. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, një gjë të tillë të na thotë hapur dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur ta përmbushte efektivisht”, ka thënë ai.


Kurti: Kosova nuk lejon të nënshtrohet nga milicia fashiste e Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke raportuar në Kuvend për situatën e fundit të shkaktuar në veri të vendit, pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, ka thënë se Kosova “nuk lejon të nënshtrohet nga milicia fashiste e Vuçiqit.

Teksa ka lavdëruar Policinë e Kosovës për “vetëpërmbajtje të theksuar” që nga nisja e tensioneve në veri në fund të majit, Kurti ka thënë se autoritetet e Kosovës në vazhdimësi janë përgjigjur me “kujdes maksimal”.

“Policia e Republikës nuk bën gjueti shtrigash. Ajo iu nënshtrohet maksimalisht standardeve të provës e dëshmisë faktike. Këto shkolla e trajnime nuk lejojnë politizimin e procedurave dhe të operacioneve. Unë, kryeministri, e kam marrë vesh sikur ju për arrestimin e eksponentit e njërit prej krerëve të ‘Mbrojtjes Civile’. Por aq i madh është paniku, të strukturat e grupet kriminale, mua më është krijuar përshtypja që ende s’jemi të vetëdijshëm për përmasat e rëndësinë për krimin e organizuar që i ka ky i arrestuar që ndodhet në paraburgim”, ka thënë Kurti në fillim duke komentuar arrestimin e të dyshuarit për krime në veri, Milun Milenkoviq.


Krasniqi-Kurtit: Përgjegjësia për kthimin e policëve në shtëpi është e juaja

Image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se përgjegjësia për kthimin e tre zyrtarëve policorë të kidnapuar të mërkurën në Leposaviq nga forcat serbe është e kryeministrit Albin Kurti.

Të enjten në seancën plenare ku Kurti po raporton për ngjarjet në veri, Krasniqi ka thënë se duhet të ftohet faktori ndërkombëtar që të reagojë për këtë akt të Serbisë.

“Në këtë drejtim na duhet edhe mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe duhet t’i ftojmë institucionet që të reagojnë dhe të dënojnë fuqishëm këtë akt agresioni të Serbisë, po ashtu edhe t’i ftojmë forcat e KFOR-it që të shtojnë vigjilencën e tyre në mbikëqyrjen e kufirit të Kosovës me Serbinë. Tani para së gjithash më e rëndësishmja është jeta e tre zyrtarëve policorë për të cilët as ne e siç duket as ju kryeministër nuk keni asnjë lajm as ku janë, as si janë e as çka po ndodh me ta. Përgjegjësia për kthimin e tyre në shtëpinë e tyre është e juaja kryeministër”, ka thënë ai.

Ai tutje e ka pyetur Kurtin nëse e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve për të garantuar rikthimin e zyrtarëve policorë në Kosovë, pas “prishjes së marrëdhënieve”.

“Kemi pasur shumë paralajmërime javët e fundit në lidhje me këtë zbehje të bashkëpunimit dhe as nuk i keni dëgjuar e as nuk i keni marrë për bazë ato. Madje me disa prej tyre dhe jeni tallur duke shtyrë aleatët tanë që të distancohen dhe të marrin qëndrime kundër Kosovës. E sot kur ata na duhen më shumë për të garantuar rikthimin e zyrtarëve tanë policorë në Kosovë, a e keni këtë mbështetje të tyre? Nëse nuk e keni, pse nuk e keni”, ka pyetur ai.


Gashi: Nëse Kurti do të ketë sanksione, s’mund të jetë kryeministër i Kosovës

Image

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaroi se partia e tij pajtohet me deklarimin e Qeverisë se Serbia ka kryer agresion kriminal ndaj Kosova, pos siç tha ai, nuk pajtohet me qasjen ndaj KFOR-it.

Ai deklaroi të enjten në Kuvend se paralajmërimet se Kosova do të ketë masa sanksionuese janë shqetësuese, derisa shtoi se nëse kryeministri Albin Kurti do të sanksionohet, nuk mund të jetë kryeministër.

“Nëse Kurti do të ketë sanksione, nuk mund të jetë kryeministër i Kosovës. Kosova s’e ka luksin të ketë kryeministër që ka sanksione nga SHBA-ja e Bashkimi Evropian”, tha ai.

Sipas Gashit, LDK-ja nuk pajtohet me trajtimin që Kurti po i bën KFOR-it dhe rezolutës 1244.

“A jeni të sigurt që po kërkoni angazhimin më të rëndësishëm të KFOR-it në kufijtë e Kosovës dhe pjesën veriore. A jeni të sigurt se çfarë pasoja krijon kjo. A jeni të sigurt se mund të kemi kërkesë nga KFOR-i të largimit të të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës nga veriu. Do të ishte gabim kardinal. Qasje totalisht e gabuar dhe kjo vjen si logjikë e mënyrës së qeverisjes çka po duam të demonstrojmë? Përkushtim, konstruktivitet, sundim të ligjit, qeverisje nga populli e për popuillin, ligjshmëri apo do me demonstru forcë? Vendimi është agresion kriminal ndaj shtetit të Kosovës. E ke përkrahjen e plotë. Pasojë që mund ta kryejë çdo njësi. Edhe Kosova e ka atë kapacitet. Por ku është ideja e shtetit tonë? Këtu nisin problemet. Ajo që kemi dëgjuar këtu është shqetësuese. Paralajmërimi për masa ndaj Kosovës janë shqetësuese”, tha deputeti opozitar.


Tahiri: Veprimet naive të Kurtit e kanë dobësuar sovranitetin

Image

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se veprimet e kryeministrit Albin Kurti për situatën në veri janë të pamatura, joinstitucionale dhe naive, derisa tha se e ka dobësuar sovranitetin, duke e reduktuar atë “në një zyrë të një komune”.

Tahiri tha para deputetëve të enjten se Kurti i ka injoruar miqtë ndërkombëtare duke vepruar kokë më vete, ndërsa shtoi se Kosova është pranë një konflikti të hapur.

“Veprimet e pamatura, joinstitucionale dhe naive e kanë dobësuar sovranitetin... Kjo është rezultat kryekëput i një drejtimi, i një injorimi total të njerëzve që e duan këtë vend, e sakrifikojnë. Komuniko, koordinohu, pasi e kemi pru Kosovën buzë një konflikti të hapur...Nuk është problem Kurti, problemi është drejtim që është veprim që po e dobëson subjektivitetin ndërkombëtar dhe sovraniteti ne vendit. E ke futur Kosovën në një rrugë të gabuar...Konsultohu sepse kërkon s’e ke konsultuar. Kërkoj aman, mos e harro Amerikën, sepse po e harrove, e harrove amanetin e dëshmorëve të kombit”, tha Tahiri.


Muja u kërkon deputetëve mbështetje për ligjshmëri në tërë territorin

Image

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se grupi parlamentar të cilin e përfaqëson i përkrah masat e Qeverisë së Kosovës të vendosura së fundmi pas situatës së krijuar në veri të vendit me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë në Leposaviq nga forcat serbe.

Në fjalën e tij gjatë seancës parlamentare që po mbahet të enjten në Kuvendin e Kosovës, Muja ka kërkuar edhe nga deputetët tjerë që t’i mbështesin institucionet e vendim në qëllimin për kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ne i përkrahim masat e Qeverisë së Kosovës dhe kërkojmë nga ju që në këtë fazë ta shprehim mbështetjen tonë për Policinë e vendit, ta mbështesim qëllimin për kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në çdo cep të territorit”, ka thënë ai.