Politikanë e aktivistë serbë: Prishtina dhe Beogradi bashkëfajtorë për situatën në veri
Politikani serb, Nenad Radosavljeviq, ka thënë se tensionet në veri janë pasojë e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas tij, përmes strukturave paralele nuk i lejoi serbët të dalin në zgjedhjet e 23 prillit. Në debatin e organizuar në Çagllavicë me politikanë të tjerë dhe aktivistë të shoqërisë civile, po ashtu u kërkua që Qeveria e Kosovës t’i largojë njësitë speciale nga veriu dhe të krijohen rrethanat për zgjedhjet pluraliste në veri
Politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë diskutuar të premten për hapat që duhet ndërmarrë për shtensionimin e situatës në komunat veriore. Në debatin me temën “Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet”, politikanë nga Leposaviqi e Zubin- Potoku e kanë fajësuar Prishtinën dhe Beogradin për tensionet e krijuara, prej së cilës më së shumti, siç kanë thënë ata, po e pësojnë qytetarët e pafajshëm.
Nenad Radosavljeviq nga iniciativa qytetare “Drejtësia Popullore” në Leposaviq ka thënë se problemet në veri janë pasojë e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas tij, përmes strukturave paralele nuk lejoi qytetarët që të dalin në zgjedhje.
“Ky është fillimi i problemit pas të cilit u lidh edhe Kurti, që insistoi me çdo kusht t’i vendosë kryetarët. Propozimi im ka qenë që të krijohen organe të përkohshme ku do të vendoseshin persona nga komunitete të ndryshme deri në zgjedhjet e ardhshme. Sikur të kishte pasur vullnet të mirë, Kurti nuk do të insistonte që të vendoseshin kryetarët duke nxitur protesta. Atje protestojnë strukturat e pushtetit të Serbisë që janë fajtorë për gjithçka dhe tani me çdo kusht kërkojnë të kthehen në ato karrige”, ka thënë Radosavljeviq.
Ndërkaq Milija Bisavaq nga Iniciativa Qytetare për Zubin-Potokun ka deklaruar se përplasjet kanë mundur të evitoheshin sikur të reagohej më herët.
“Unë kam qenë në protesta, ka pasur që kanë shkuar në miting në Beograd e të atillë që nuk kanë dashur të protestonin. Tek ne nuk ka pasur incidente të mëdha, por në ditën e parë Policia ka hedhur shok-bomba e gaz lotsjellës, kanë hyrë me dhunë. Kanë mundur të vinin në mënyrë të qetë pasi hyrja e dhunshme nuk çon askund. Qytetarët atje janë të hutuar, fëmijët nuk po shkojnë në shkollë e gjendja e jetesës është vështirësuar pasi objekti është bllokuar dhe qytetarët nuk po mund të marrin shërbime”, ka thënë ai.
E, përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se largimi i njësive speciale është hapi i parë për kthimin e normalitetit në veri.
i shoqërisë civile nga Zveçani, Dejan Nedeljkoviq, është shprehur se tensionet do të evitoheshin sikur në veri të funksionalizoheshin objekte të tjera komunale krahas atyre paralele.
“Në vitin 2015, kur jemi integruar ka qenë propozimi të bëhen objekte ndihmëse komunale, por nuk ka dashur Lista Serbe, pasi kanë menduar se do të mbeten përgjithmonë në pushtet. Sikur të vinin kryetarët shqiptarë në ato objekte të reja, komuna paralele do të mbetej. Tani ka improvizim para barrikadave ku njerëzit vijnë e nënshkruhen se kanë ardhur në punë. Marrëdhëniet janë relaksuar paksa mes qytetarëve e KFOR-it. Shpresojmë që Njësia Speciale të tërhiqet nga komuna dhe të kemi një zgjidhje”, ka theksuar Nedeljkoviq.
Miodrag Miliçeviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv”, ka thënë se problemi nuk është si do të funksionojnë komunat, por se si situata të qetësohet dhe të kthehet në terren politik. Gjendjes së krijuar, sipas tij, nuk i parapriu vetëm dalja e serbëve nga institucionet.
“Ky problem është dashur të zgjidhet në Ohër, kur u arrit marrëveshja. Këta që janë zgjedhur nuk kanë legjitimitet dhe as komunikim me komunitetin shumicë serb, edhe pse zgjedhja e tyre është e ligjshme”, ka deklaruar Miliçeviq.
Sipas tij, Beogradi është shumë më bashkëpunues se Qeveria e Kosovës, e për këtë ka thënë se motiv është integrimi në Bashkimit Evropian. Sipas tij, kryeministri i Kosovës nuk i dëgjon shqetësimet e qytetarëve në veri.
“Është e nevojshme që të tërhiqet njësia speciale, e cila vitet e fundit ka krijuar probleme të mëdha, përfshirë në raport me mua. Është pastaj krijimi i Asociacionit dhe është e nevojshme nisja e dialogut për këtë çështje. Bashkësia ndërkombëtare ishte e qartë dhe Escobari tha se Asociacioni do të ndërtohet me ose pa këtë qeveri. Kjo është kërkesa e dytë legjitime që duhet marrë parasysh. Edhe procesi zgjedhor duhet të ndodhë, por për këtë moment konsiderojmë se propozimi i Bujar Osmanit është modeli më i duhur ku OSBE do të merrte përsipër organizimin e zgjedhjeve në veri”, është shprehur Miliçeviq.
Përveç Qeverisë së Kosovës, politikanët serbë kanë akuzuar edhe Beogradin se duke mbështetur vetëm Listën Serbe e kanë mbytur pluralizimin politik. Milija Bisavaq ka thënë se është dëmtuar edhe personalisht vetëm pse ka guxuar ta sfidonte Listën Serbe.
“Pluralizmi është mbytur. Neve që nuk jemi me Listën Serbe na kanë quajtur tradhtarë, por atyre u ka rënë mbështetja, punojnë vetëm me kokën e një njeriu. Lista Serbe i ka konvenuar edhe Prishtinës, edhe Beogradit duke na dëmtuar neve”, ka potencuar Bisavaq.
E Radosavljeviq ka thënë se ekzistojnë mekanizma të tillë të frikësimit saqë, sipas tij, nuk është reale të pritet diçka në aspektin e pluralizmit.
“Edhe nëse e kemi një person që ka vendosur t’i kundërvihet kësaj organizate të tmerrshme (Listës Serbe) prapë nuk do të lejojnë ata. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë që të relaksohet atmosfera në veri. Për këtë ka faj edhe pushteti në Prishtinë”, është shprehur Radosaljeviq.
Situatë në veri përshkallëzoi pas futjes së kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet e tri komunave - Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok. Deri para zgjedhjeve të 23 prillit këto komuna udhëhiqeshin nga Lista Serbe, e cila refuzoi të merrte pjesë në zgjedhje duke e vendosur si parakusht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.