Arbëri

Kurti: Grupet e dhunshme në veri përdorën granata e shok-bomba që u sollën nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar llojet e mjeteve shpërthyese të cilat u përdorën nga protestuesit e dhunshëm në veri të Kosovës më 29 maj.

Ai ka thënë se këto mjete shpërthyese, granata dore dhe shok-bomba, ishin prodhuar dhe sjellë nga Serbia.

“Grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në tri komunat veriore më 29 maj kanë përdorur granata dore SRB (Slavko Rudojic Bugejno) M75 dhe shok-bomba RSB (Rucna Sok Bomba) P98, të dyja të prodhuara dhe të sjella nga Serbia, duke lënduar dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Më 29 maj mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës dhe u sulmuan mediat. Nga 26 maji serbët në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit kanë protestuar duke kundërshtuar kryetarët e zgjedhur shqiptarë.