Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate deklaroi se kryeministri Albin Kurti do të tërhiqet dhe do ta themelojë Asociacionin.
Ai deklaroi në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se në situatën e krijuar politike, ekzistojnë dy kampe.
“Njëri i ekzaltuar për shtrirje të sovranitetit...e tjetri që krijon frikë dhe padashje po i krijon Kurtit. S’ka ambinet më ideal se ky sot për Kurtin. Kurti do të tërhiqet, do të mbesë si mohikani i fundit dhe do ta bëjë Asociacionin”, shtoi ai.
Gjinovci – Hysenit të PSD-së: Keni qenë grup i degjeneruar që e patët korruptuar VV-në
Aktivisti Rron Gjinovci e quan absurd diskutimin që bëhet në vend mbi situatën në veri, derisa ka thënë se situata nuk është në tension ashtu siç po thuhet.
“Është absurde. Albin Kurti, Kosova i luste të mos dalin serbët, tash ata po na lusin përmes Escobarit që të kthehen, po thoni keq. Po thoni Kurti është personi që po do ta bëjë Asociacionin, ai po përballet me sanksione pse nuk po e bën Asociacionin. Unë nuk po mundem ta kuptoj, këtu në studio thash mos jam në ëndërr dhe ende do të zgjohem prej gjumit sepse nuk po mund të besoj se ky diskutim po ndodh”.
Gjinovci ka debatuar me Zgjim Hyseni nga PSD-ja mbi të kaluarën e tyre në Vetëvendosje. Hyseni ka thënë se Gjinovci po “merr para prej Qeverisë për t’i mbrojtë”, teksa Gjinovci e ka mohuar një gjë të tillë. Hyseni ka vazhduar se për qëllime personale Gjinovci ka dalë nga VV-ja, me këtë të fundit që ia ka kthyer se ka dalë nga VV-ja “për shkak teje dhe Dardan Molliqajt”.
“Për teke se keni qenë një grup i degjeneruar aty që tash quheni PSD, që e patët korruptuar komplet organizatën. Për dallim prej juve, unë kurrë nuk jam çu kundër VV-së për shkak të inateve të mija personale”, ka thënë Gjinovci.
Krasniqi: Ndërkombëtarët janë të interesuar për një status tjetër në veri
Redaktori i KOHËS, Besnik Krasniqi, ka thënë se faktori ndërkombëtar është i interesuar ta matë status-quon në veri të vendit.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se ndërkombëtarët janë të interesuar për një status tjetër në veri që e dallon këtë pjesë në raport me komunat tjera.
“Faktori ndërkombëtar është i interesuar ta matë status-quon në veri dhe siç tha z.Hyseni, nëse ne flasim për një autonomi për veriun, është argument plus në kontekst të kësaj që ndërkombëtarët janë të interesuar për një status tjetër në veri e që e dallon këtë pjesë në raport me komunat tjera. Unë nuk mund ta kuptoj se si ka 13-14 ditë që nuk ka asnjë ekses, dy ditë ishin më kritike, më pas gjakrat u qetësuan dhe me shumë gjasë bandat problematike vetëm se janë zvogëluar dhe përgjatë kësaj kohe nuk kemi parë shumë tensione”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ajo se çfarë është parë gjatë gjithë qeverisjes Kurti është që integrimi i serbëve ka qenë një maskë, që me një urdhër të Beogradit, i lëshojnë institucioent.
