Arbëri

PSD: Po shohim ultimatume e kërcënime për sanksione, Kurti t’i quajë si të dojë

Anëtarja e Partisë Socialdemokrate, Teuta Rrusta, ka thënë se kryeministri Albin Kurti mund t’i quaj siç dëshiron deklaratat e faktorit ndërkombëtar sa i përket situatës në veri, por ato janë ultimatume dhe kërcënime për sanksione.

Rrusta ka thënë se kjo situatë po i kushton shtrenjtë Kosovës dhe ka pasoja sa i përket lidhjeve të Kosovës me ndërkombëtarët.

Sipas saj, Kurti nuk duhet t’i trajtojë qytetarët si naivë dhe të thotë se këto që po ndodhin së fundmi nuk janë kërcënime për sanksione.

“E vërteta është që quaj si të duash, por këto janë ultimatume dhe janë kërcënime për sanksione. Këto fjalë tingëllojnë rëndë dhe Kosovës po i kushtojnë shtrenjtë tashmë, i kemi disa pasoja ditëve të fundit sa i përket relacionit me ndërkombëtarët. Emrin nuk po ua thonë, por konsekuenca po është e tillë, ato po janë sanksione. Natyrisht që SHBA-ja po bën përpjekje për të gjetur një mundësi për t’i akomoduar palët, por një përgjegjësi tjetër e ka kryeministri ndaj gjithë qytetarëve të vendit që mos t’i trajtojë si njerëz që nuk kuptojnë dhe nuk dinë. Është ofendim për qytetarët e Kosovës të thuhet se këto nuk janë kërcënime për sanksione, është gabim të thuhet se këtu nuk ka një tension të marrëdhënieve dhe se qasja në disa gjëra na dallon e jo thelbi i çështjes”, ka thënë ajo të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Rrusta ka shtuar se flamujt shtetërorë të vendosur në objektet komunale në veri do të hiqen.

“Kryeministri Kurti nuk është dashur ta bijë situatën deri këtu. Prej fillimit ka shkuar shumë larg. Para ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet, ato partitë tjera e kanë pruar situatën e tillë që nuk ka pasur harmoni ndëretnike, por konflikt nuk ka pasur. Sot nëse shkon në këto zona ku banohen shqiptarë e serbë, është tension i madh. Çka po të duhet ty flamuri që do të hiqet menjëherë, çka po të duhet ta vendosësh atje që po dëshiron ta krijosh një situatë të re dhe më pas thua që unë e shtyva deri në fund dhe nuk ma lejuan”, ka thënë ajo.

Ajo më tej ka shtuar se Kurti do të tërhiqet, por po dëshiron që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet dhe të implementohet pa marrë shumë përgjegjësi ai.

“Dyshimi ynë i bazuar dhe duke e njohur ideologjikisht profilin e këtij modeli politik, është që po dëshiron ta bëjë Asociacionin pasi e ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit që e ka të integruar Asociacionin, madje e ka plasuar si diçka të mirë me argumentin se Serbia nuk po e pranon. Përveç lëndimit të raporteve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, Kosovës do t’i kushtojë kjo edhe me disa gjëra tjera. Kryeministri Kurti do të tërhiqet, por po dëshiron që Asociacioni të implementohet pa marrë ai shumë përgjegjësi”, është shprehur Rrusta.