Arbëri

Situata në veri - Në PDK kërkojnë bashkëpunim me ndërkombëtarët, në LDK e AAK heshtin

Descriptive Text

Vendosje të rendit dhe ligjit, duke e respektuar kushtetutshmërinë, i kanë kërkuar ekzekutivit nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputetë nga kjo parti kanë kërkuar bashkëpunim me ndërkombëtarët për normalizim të situatës në veri. E deputetë të LDK-së e AAK-së, pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet, nuk pranuan të komentojnë tensionet në katër komunat veriore të vendit

Për tensionet në komunat veriore të vendit, deputetë të Kuvendit i kanë kërkuar Qeverisë që të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare për normalizimin e situatës.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se situata në veri tashmë ka dalë jashtë kontrollit.

"Por mbi të gjitha serbët duhet të respektojnë edhe votën e qytetarëve, të cilët e kanë dhënë për të qenë kryetar të Komunës e ata realisht e kanë bojkotuar. Pse nuk kanë marrë pjesë në votim është fajtor edhe që dëgjojnë Beogradin më shumë sesa hallet dhe shqetësimet e tyre në veri. Ata dihet që janë bërë vegël e Beogradit për interesa të tyre, ndërsa nuk ka asnjë vëmendje Beogradi për shqetësimet dhe problemet reale. Në këtë aspekt ne jemi me Kosovën dhe me kushtetutshmërinë”, ka theksuar Lushtaku

E shqetësuar me situatën është shprehur edhe kryetarja e partisë boshnjake SDU, Duda Balje.

“Kam shumë brenga për boshnjakët të cilët jetojnë në atë pjesë të Kosovës, por unë kam shpresa se do të rregullohet shumë shpejt. Dua të besoj se kryeministri e ka gjendjen nën kontroll dhe shpresoj që do të kalojë pa incidente më të mëdha... Unë shpresoj që kryeministri deri tash ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe shpresoj që do të gjejë një zgjidhje bashkë me ata”, ka deklaruar Balje.

Deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që morën pjesë në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, nuk e komentuan situatën në veri të vendit.

Në veri serbët, përmes protestave të dhunshme, po kërkojnë largimin e kryetarëve të sapozgjedhur nga ndërtesat komunale.