Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Këto komente Bislimi i ka bërë gjatë një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
“Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, ka thënë Bislimi.
Por në komunikatën e dërguar nga Qeveria, nuk tregohet se çfarë ka deklaruar Von Cramon.
Në fillim të takimit, komunikata thotë se u shpreh mirënjohja për punën e Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE.
“Raportet e fundit të publikuara, siç është edhe ai i PE-së për Kosovën, përmbante mesazhe pozitive për vendin dhe vlerësime në integrim evropian, ekonomi, financa, agjendën legjislative e arsim ndër shumë fusha të tjera të përfshira. Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës, e cila ecën paralelisht dhe me vizionin e vendit tonë drejt BE-së dhe suportin e qytetarëve të Kosovës ndaj integrimit në BE”, thuhet tutje në njoftim.
Zëvendëskryeministri Bislimi, njoftohet se ka theksuar se institucionet tona janë të maturuara, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, sot gjatë ditës u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin njësitete speciale të Policisë nga veriu dhe të ulen në tavolinën e negocimit.
Von Cramon ka thënë se mënyra e vetme për të zgjidhur situatën është dialogu dhe në mënyrë konstruktive.
Von Cramon ka thënë se Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me “manovrat në veri”.
Abdixhiku në takim me Von Cramonin – Veprimet në veri të koordinohen me ndërkombëtarët
Një takim me eurodeputeten, Viola von Cramon, e ka zhvilluar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. “Kryetari Abdixhiku e njoftoi znj. Von Cramon për qëndrimet e LDK-së lidhur me proceset e ndryshme në vend.
Në veçanti u diskutua për gjendjen në katër komunat e veriut. Kryetari Abdixhiku përsëriti qëndrimin e LDK-së lidhur me domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve me aleatët tanë ndërkombëtarë. Po ashtu kryetari Abdixhiku e falënderoi znj. Von Cramon për mbështetjen e dhënë në procesin e liberalizimit të vizave si dhe proceset tjera integruese”, thuhet në komunikatën e LDK-së.