I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Sadik Zeqiri, ka deklaruar se gjatë qëndrimit të tij në Burgun e Dubravës, trajtimi i gardianëve ka ndryshuar me fillimin e bombardimeve të NATO-s në caqet serbe.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, teksa ka rrëfyer për arrestimin e tij si student e më pas transferimin nga Burgu i Pejës në atë të Dubravës, Zeqiri ka thënë se pas 25 marsit të vitit 1999, gardianët po hakmerreshin ndaj shqiptarëve të burgosur, duke i rrahur çdo mëngjes e darkë kur ua kanë dërguar ushqimin.
“Prej 15 deri më 24 mars kur kanë filluar bombardimet, trajtimi i gardianëve ka qenë i mirë edhe pse me mungesë të ushqimit, me fillimin e bombardimeve dhe me goditjen e NATO-s nëpër caqet serbe, të njëjtit gardian filluan të hakmerreshin ndaj nesh. Nga 25 marsi e derisa kemi dalë në oborr më 19 maj, për çdo ditë, çdo mëngjes e darkë kur na kanë sjellë ushqimet na kanë rrahur”, ka thënë ai.
Zeqiri ka rrëfyer se në pavionin në të cilin e kanë vendosur atë, pritej që dënimet të ishin më të rëndat, me mbi 20 vjet burgim.
“Unë isha 23-vjeçar kur jam arrestuar. Kam qenë student, nga Prishtina kam shkuar në këmbë në luftë, mirëpo kam pasur fatin të bie në burg. Jam arrestuar më 25 gusht 1998, kamë qëndruar në burgu e Pejës deri më 15 mars 99, atë ditë na kanë transferuar 60 të burgosur për në Burgun e Dubravës. Kur kemi shkuar na në pavionin e dytë nuk ka pasur të burgosur të tjerë. Dikur kanë filluar t’i sjellin edhe nga burgjet tjera. Ne kemi qenë pavioni që pritej të dënoheshim me dënime të rënda, me mbi 20 vjet burg. Ka qenë pavioni i izolimit, më i rëndi në Burgun e Dubravës. Në pavionin tonë kanë qenë të gjithë shqiptarë, të burgosurit serbë dhe ordinerë kanë qenë të vendosur në pavione me tipe më të lira”, ka thënë ai.
Në masakrën e Burgut të Dubravës, që ndodhi nga data 19 deri më 24 maj 1999, 100 të burgosur shqiptarë u ekzekutuan e mbi 200 të tjerë u plagosën nga të shtënat e pjesëtarëve të armatosur serbë. Por pavarësisht se ka dëshmitarë të shumtë, Prokuroria Speciale nuk i ka kthyer fare përgjigje KOHËS javën e kaluar kur janë pyetur se pse edhe 24 vjet pas nuk është ngritur asnjë aktakuzë për këtë masakër