Arbëri

Osmani: Masakra e Dubravës ndër krimet më të tmerrshme të regjimit kriminal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Masakra e Dubravës është ndër krimet më të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, derisa tha se drejtësia për viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës.

Ajo shkroi në Facebook në 24-vjetorin e Masakrës se gjatë periudhës 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe i plagosi 300 të tjerë.

“Ata po mbaheshin në burg padrejtësisht si pengje të luftës, e në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare. Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës. Në këtë përvjetor, kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit”, shkroi presidentja.

Ajo theksoi se kujtimi dhe nderimi për ta është i përhershëm, e edhe angazhimi për ndëshkimin e këtij krimi.