Arbëri

QUINT: Vonesa në zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, pengon anëtarësimin në KiE

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë përsëritur thirrjen ndaj Qeverisë së Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në një deklaratë të QUINT-it thuhet se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, ai vendim për tokën nuk po zbatohet.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë vendimin për kthimin e tokës në Manastirin e Deçanit.

Në postimin e OSBE-së në Twitter, theksohet se vendimi për pronësinë e Manastirit mbi tokën ka mbetur vetëm në letër.

“Shtatë vjet më vonë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë mbetet në letër. Misioni i OSBE-së në Kosovë përsërit thirrjen e saj drejtuar institucioneve për të mbështetur sundimin e ligjit dhe regjistrimin e tokës në emrin e Manastirit”, thuhet në reagimin e tyre në Twitter.