Akivisti nga diaspora, Osman Osmani, ka deklaruar se përfaqësuesit e diasporës nuk janë të përfshirë në institucionet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me këtë komunitet.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Osmani ka thënë se diaspora ka nevojë të përfshihet në gjëra konkrete, siç janë marrëveshjet bilaterale që prekin interesat e saj.
“Deri më tani nuk jemi të përfshirë në institucionet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me diasporën. Kemi nevojë të përfshihemi në gjëra konkrete. Çdo marrëveshje bilaterale që prekë interesat e komunitetit tonë, të mërgatës, duhet të jenë të përfshirë ekspertët e diasporës. Ne flasim me gojën plotë që kemi tru, kemi ekspertë në diasporë, por në çështjet praktike të përditshme nuk i kyçim ata”, ka thënë ai.
Osmani më tej ka thënë se pritjet nga qeveria aktuale e Kosovës kanë qenë të mëdha për shkak të premtimeve të dhëna, që sipas tij ende nuk janë realizuar.
Ai ka deklaruar se edhe në komisionin ad-hoc të themeluar për ligjin rreth zgjedhjeve, nuk është në dijeni që është konsultuar përfshirja e diasporës në këtë komision.
“Pritjet kanë qenë shumë të mëdha pasi që edhe premtimet kanë qenë të mëdha. Mbështetja nga diaspora ka qenë ndoshta edhe përcaktuese që Vetëvendosja të vijë në pushtet, vota e diasporës dhe mbështetja e gjithanshme ka qenë e pakursyer me shpresën që ndryshimet do të ndodhin dhe përfshirja e diasporës do të ndodhë më mirë. Premtimet janë bërë, ndoshta ka pengesa procedurale që nuk është arritur ende që të drejtat themelore të mërgatës të merren parasysh. Kjo deri më tani nuk ka ndodhur, është dëgjuar që do të ketë lehtësime dhe është përgatitur çështja e ligjit zgjedhor për të mundësuar votimin në përfaqësi diplomatike. Përtej kësaj, ne edhe te ligji edhe te komisioni ad-hoc që është themeluar për ligjin zgjedhor, unë dhe rrjetet me të cilat bashkëpunoj, nuk e dimë që është konsultuar diaspora për përfshirjen e saj në këtë komision”, është shprehur ai.