Arbëri

Kosova, pjesë e ceremonisë speciale të Izraelit për shtetet që e njohin Jerusalemin kryeqytet

Kosova dhe tri shtete të tjera janë përfshirë në ceremoninë e veçantë që Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka organizuar për shtetet që e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Në ceremoninë e veçantë, Izraeli ka mirëpritur përfaqësues të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Guatemalës dhe Hondurasit, që ishin shtetet e para që e njohin Jerusalemin si kryeqytet të shtetit dhe që kaluan ambasadat në këtë shtet.

Nën praninë e kryetarit të Jerusalemit, Moshe Lion, dhe përfaqësuesve të ambasadave të këtyre katër shteteve, flamuri i Kosovës dhe të tjerëve u ngritën në hyrje të ndërtesës së Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

“Më shumë shtete do t’u bashkohen atyre”, ka thënë Eli Cohen, ministri i Jashtëm izraelit, që ka thënë se sivjet synohet që edhe tri shtete të tjera t’i bartin ambasadat në Jerusalem. “Jerusalemi ka qenë kryeqytet i popullit hebre për më shumë se 3000 vjet”.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka shkruar në Twitter për këtë ceremoni.

“Iu bashkova përfaqësuesve të SHBA-së, Hondurasit dhe Guatemalës në ceremoninë e ngritjes së flamujve, në nderim të shteteve që hapën ambasadat në Jerusalem, me rastin e ditës së Jerusalemit dhe për të shënuar 75-vjetorin e Izraelit”, ka shkruar Demiri në Twitter.

Kosova ka marrë njohjen nga Izraeli në fillim të shkurtit të vitit 2021. Si pjesë e marrëveshjes për njohjen ishte që Kosova të hapte ambasadën në Jerusalem.

{gallery}