Pacientët detyrohen të bëjnë testin gjenetik jashtë Kosovës
Në Institutin Paraklinik në QKUK nuk bëhet testi gjenetik që ndihmon në përcaktimin e terapisë për pacientët me lloje të caktuara të kancerit. Në Institutin e Patologjisë thanë se analiza do të fillojë të bëhet së shpejti, por nuk dhanë një afat kohor për këtë. E familjarë të pacientëve që folën në kushte anonimiteti thanë se u është dashur që atë ta kryenin jashtë Kosovës
Testi gjenetik që ndihmon në përcaktimin e llojit të terapisë për disa lloje të kancerit nuk kryhet në Institutin Paraklinik në QKUK.
Një qytetar që ka folur në kushte anonimiteti, tregoi se familjari i tij që është diagnostikuar me kancer të lëkurës është detyruar që këtë test ta bëjë jashtë Kosovës.
“Pas operacionit është kërkuar t’i bëjmë disa analiza. Një ndër to është BRAF testi, që është testi gjenetik, i cili nuk bëhet në QKUK dhe për këtë arsye kemi shikuar ta bëjmë diku në privat në Kosovë. Për shembull, diku ku kemi shikuar na kanë thënë se kushton diku 600 euro për ta bërë këtë test. Madje kemi shikuar edhe diku tjetër në Maqedoni, ku e kemi gjetur me një çmim shumë më të volitshëm sesa këtu”, ka thënë ky familjar.
Në Klinikën e Onkologjisë, ku edhe trajtohen pacientët me kancer, thonë se ky test ndihmon në përcaktimin e ilaçeve, veçmas për sëmundjet e lëkurës, mushkërive dhe të zorrëve.
“Kryekëput ne e kërkojmë këtë analizë për tumoret e lëkurës dhe në bazë të rekomandimeve tona ky testim bëhet në Institutin e Patologjisë pranë QKUK-së. Të gjitha ato raste që kanë nevojë ta bëjnë, e kryejnë këtë testim në BRAF dhe duhet të lajmërohen në Institutin e Patologjisë, e numri i këtyre rasteve që kërkojnë këtë testim nuk është i lartë në Kosovë. Janë disa dhjetëra pacientë të cilët në bazë të përgjigjes ose pozitivitetit të BRAF-it ose jo edhe caktohet lloji i terapisë, e cila ka benifite shumë të mëdha për trajtimin e pacientëve”, u shpreh Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.
Në institutet paraklinike, në kuadër të të cilave funksionon edhe ai i Patologjisë, thanë se analiza do të fillojë të bëhet së shpejti, por nuk dhanë një afat kohor për këtë.
“Testet e bazuara në ADN përfshijnë ato që përdorin PCR-in për të amplifikuar në mënyrë selektive gjenin mutant BRAF dhe të tjera që përcaktojnë drejtpërdrejt sekuencën nukleotide të gjenit BRAF. Rrjedhimisht duhet të bëhet testimi i njëkohshëm, meqë të dy metodat dhe këto analiza do të fillojnë të bëhen së shpejti edhe në Institutin e Patologjisë në Prishtinë”, ka thënë Merita Hashani-Bacaj, drejtoreshë e instituteve paraklinike.
Në bazë të rezultateve të testit BRAF, te llojet e caktuara të kancerit, përcaktohet edhe lloji i ilaçit.