Në prag të zgjedhjeve në Shqipëri, ngrihen dyshime për mundësinë e votimit të shumëfishtë
Të dielën, 3.6 milionë shtetas të Shqipërisë do ta kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet lokale për 61 bashki. Një ditë para datës së zgjedhjeve, janë ngritur shqetësime për mundësinë e votimit të shumëfishtë, meqë në disa qendra janë tërhequr operatorët përgjegjës për zbatimin e sistemit të identifikimit elektronik të votuesve. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thanë se kjo përbën shqetësim, meqë veprimi është i jashtëligjshëm
Shtetasit e Shqipërisë do të votojnë të dielën në zgjedhje lokale për kryetarët e 61 bashkive.
Janë në total mbi 3 milionë e 600 mijë qytetarë që kanë të drejtë vote, e që do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit lokalë.
Një ditë para datës së zgjedhjeve, janë ngritur shqetësime për mundësinë e votimit të shumëfishtë, meqë në disa qendra janë tërhequr operatorët përgjegjës për zbatimin e sistemit të identifikimit elektronik të votuesve.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë thanë se kjo përbën shqetësim dhe veprimi është i jashtëligjshëm.
“Kjo është arsyeja e këtij mesazhi, pra për të shmangur aktet e papërgjegjshme, të qëllimshme apo jo, nga ana e operatorëve të cilët i siguroj që si Komision Qendror e kemi mundësinë për të verifikuar rast pas rasti arsyen e tërheqjes së tyre dhe do t’i shkojmë deri në fund këtij hetimi”, ka thënë në një konferencë shtypi Lealba Pelinku, nënkomisionere e KQZ-së.
Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”, në të cilin bëjnë pjesë demokratët e drejtuar nga Sali Berisha dhe “Partia e Lirisë” e Ilir Metës, janë forcat kryesore politike që synojnë 61 bashkitë.
Incidenti më i madh gjatë fushatës është ai në Himarë, ku është i fokusuar minoriteti grek. Kandidati për këtë komunë, i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, është arrestuar nga policia për blerje votash. Ai të shtunën është paraqitur në gjykatën e Vlorës për t’u njohur me masën e sigurisë së bashku me të ndaluarin tjetër, Pandeli Kakoveshi.
Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa mori pjesë dhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Mediat në Shqipëri, duke u thirrur në burime, kanë thënë se gjatë seancës Beleri i ka mohuar akuzat dhe ka theksuar se në lokalin e tij ndodhej së bashku me të afërmit dhe se paratë nuk i kishte për të blerë vota. Por, organi akuzës ka provuar të kundërtën, edhe duke u bazuar në dëshminë e një qytetari që ka bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë.
Gjatë fushatës zgjedhore, policia ka identifikuar dhe kapur edhe disa persona nën dyshimin për shitblerje të votës.
E në prag të ditës së zgjedhjeve, Ambasada amerikane përmes një postimi në Twitter, ka adresuar mesazhe për autoritetet dhe partitë pjesëmarrëse. Ajo ka bërë thirrje që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta.
“Krerët e partisë kishin detyrimin të propozonin kandidatë të pastër e të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet t’i mbetet popullit. Siç kemi bërë në tri dekadat e fundit, Shtetet e Bashkuara mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për një demokraci të fortë”.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se keqpërdorimi i votës është i patolerueshëm.
“Përvojat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe me forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore dhe institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses”, ka thënë presidenti Begaj.
Në këto zgjedhje lokale garojnë 23 mijë e 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.