Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se Bashkimi Evropian e përkrah Kosovën dhe aspiratat e saj drejt integrimit evropian.
Von Cramon ka thënë se dëshmi për këtë është miratimi i raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian.
“Është sinjal i vlefshëm se Kosova është partnere e vlefshme, e BE-ja mbetet e përkushtuar për zhvillimin e saj, stabilitetin dhe prosperitetin”, ka thënë Von Cramon në konferencë për media.
Ajo ka lavdëruar qytetarët e Kosovës dhe qeverinë për progresin e bërë gjatë viteve të fundit, për përkushtimin ndaj vlerave demokratike, luftimit të korrupsionit, si dhe rreshtimit të politikës së jashtme me atë të BE-së.
“Por, është esenciale të njihen edhe sfidat, si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e lirisë së mediave, tranzicioni i gjelbër dhe konsolidimi i mëtejmë i sundimit të ligjit”, ka thënë Von Cramon.
Ajo ka thënë se është vënë në pah moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
Ndërsa sa i përket për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë se përkrahin punën e emisarit Miroslav Lajçak dhe se presin zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit.