Arbëri

Shefja e USAID-it udhëton në Kosovë e Serbi “për t’i ulur tensionet”

Samantha Power

Shefja e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, do të udhëtojë në Serbi dhe Kosovë këtë javë për t’u takuar me liderët, ndërsa liderët e SHBA-së dhe BE-së po tentojnë të punojnë që të stabilizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, raporton agjencia AP.

Power është shefja e parë e USAID-it që udhëton në Serbi, një vend që mban lidhje të ngushta me Rusinë.

Power do të takohet me krerët e të dyja vendeve.

Nga USAID-i thuhet se ajo do të tentojë të inkurajojë dyja palët të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe të vazhdojnë drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

“Ajo do ta nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE përmes partneritetit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik”, thuhet nga USAID-i.

Power do të takohet në Kosovë dhe Serbi edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, liderë të bizneseve, gazetarë.

Ajo do të jetë zyrtarja e parë e SHBA-së që udhëton në rajon që nga takimi i fundit në Bruksel më 2 maj mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.