Për ta lehtësuar qasjen në marrjen e këtij shërbimi, në Onkologji kanë bërë të ditur se gjatë muajve të ardhshëm, krahas Prishtinës, trajtimi do të mund të bëhet edhe në qytete të tjera. Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës, ka thënë se disa nga shërbimet e nevojshme për pacientë me kancer do të ofrohen së shpejti në Spitalet rajonale të Pejës dhe të Prizrenit
Sa herë që u duhet që t’i marrin terapitë e nevojshme tabletare për trajtimin e sëmundjes së kancerit, pacientë nga e gjithë Kosova detyrohen që të presin për orë të tëra në radhë para sportelit të Klinikës së Onkologjisë deri sa një nga infermierët t’ua thërrasë emrat.
Për ta lehtësuar qasjen në marrjen e këtij shërbimi, në Onkologji kanë bërë të ditur se gjatë muajve të ardhshëm, krahas Prishtinës, trajtimi do të mund të bëhet edhe në qytete të tjera.
Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës, ka thënë se disa nga shërbimet e nevojshme për pacientë me kancer do të ofrohen së shpejti në Spitalet rajonale të Pejës dhe të Prizrenit.
“Të vijë pacienti deri këtu (në Prishtinë) dhe ta ekzaminojë mjeku e t’i japë një ilaç, të cilin pacienti e merr për një muaj ditë.... Ne jemi duke i grumbulluar të dhënat dhe do të shohim se cila është mënyra më e mirë e mundshme e zgjedhjes së këtyre problemeve dhe shpresojmë që ndoshta deri në shtator, ndoshta edhe më herët, për format tabletare në ndonjë qytet, Pejë ose Prizren, të jepen një herë në muaj. Të grumbullohen gjithë ata pacientë që një herë në muaj ta marrin këtë terapi”, ka thënë Kurtishi.
Gjatë ditëve kur pacientët marrin kimioterapi dhe radioterapi, dhomat e Klinikës ku ata trajtohen janë të stërmbushura. Në mungesë të hapësirave, krahas shtretërve të Klinikës, për trajtim shërbejnë edhe ulëset për pritje.
Kurtishi ka thënë se planifikohet gjithashtu që brenda një periudhe prej katër muajsh edhe dhomat e mjekëve, të cilat ndodhen në katin e dytë të Klinikës, të shndërrohen në dhoma për pacientë, në atë që do të rriste kapacitetin e shtretërve ditorë nga 45 në 90.
Sipas Kurtishit, punimet nuk do të pengojnë shërbimet për pacientët, të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat ekzistuese.
“Gjatë asaj kohe ne do të adaptojmë dhe do të punojmë ndoshta me orar pak më të zgjatur dhe do t’i mbulojmë të gjitha nevojat të cilat i kemi. Edhe pse edhe tash, në kushtet ekzistuese, ne i japim terapitë në katin e parë, pa pasur nevojë që të shfrytëzojmë katin e dytë, përveç në raste të hospitalizuara”, ka thënë ai.
Por të përballur me mungesën e hapësirave për trajtim, pacientët kanë shprehur pakënaqësi për pritjet e gjata.
“Prej orës 6 kam ardhur. I kam dorëzuar letrat, ngase vetë ne pacientët i vonojmë këto letrat që po na i japin. Në 11:30 më ka ardhur terapia. Në 6 kam ardhur. Në orën 16 apo 17 shkoj në shtëpi. E kjo nuk është në rregull…. Kur vjen krejt Kosova, si do të ketë shtretër të mjaftueshëm. Vijnë edhe prej Shqipërisë, kjo mizëri është”, ka thënë një paciente, teksa ka folur nën kushtin e anonimitetit.
Përveç mungesës së hapësirës, Klinika e Onkologjisë ballafaqohet edhe problemin e numrit të pamjaftueshëm të infermierëve për të përballuar fluksin e pacientëve.
Kurtishi ka treguar se në këtë Klinikë aktualisht veprojnë 37 infermierë ndërkaq ka shtuar se për zbutjen e ngarkesës dhe uljen e vonesave në ofrimin e shërbimeve nevojiten të paktën edhe dhjetë syresh.
“Me stafin e mesëm, shpeshherë kemi edhe mungesa për arsye normale. Kemi shpeshherë infermierë të cilët kanë arsye, pushime mjekësore, pushime të lehonisë.... ka ndodhur të ndërpresin marrëdhënien e punës përkohshëm, por nevojat tona janë që së paku edhe për pesë infermierë në shërbimin e kimioterapisë dhe pesë infermierë në shërbimin e radioterapisë. Kjo do të bënte që klinika të operojë me kapacitete edhe më të larta dhe ndonjëherë vonesat do të zvogëloheshin edhe më shumë”, ka thënë ai.
Kurtishi ka theksuar se kërkesa për shtimin e numrit të infermierëve pritet që të plotësohet brenda tre muajsh.
Kërkesa nëpërmjet një letre kanë listuar ditë më parë edhe pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë në Repartin e Onkologjisë. Në mesin e tyre ata kanë përmendur mungesën e stafit teknik, të hapësirës së pamjaftueshme, të kushteve të vështira higjienike sanitare gjatë marrjes së terapisë, si dhe mungesën e disa barnave në këtë repart.
Nëpërmjet letrës, ata kanë kërkuar nga ministri i Shëndetësisë dhe nga Bordit drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) që të merren me përmirësimin e kushteve. E gjatë së premtes, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë as në formë fizike e as atë elektronike nga pacientët.
“Sipas raportimit nga Bordi i SHSKUK-së, aktualisht furnizimi me barna është 90 për qind, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85 për qind. Mekanizmat menaxhues të SHSKUK-së kanë shtuar angazhimin që edhe kjo përqindje e furnizimit me barna dhe material shpenzues të arrijë në plotni kërkesat dhe nevojat e pacientëve tanë. Investimet në Kliniken e Onkologjisë duke përfshirë infrastrukturën dhe pajisjet, sipas raportit nga Bordi i SHSKUK-së, këtë vit janë në vlerë rreth 2 milionë euro. Po ashtu, SHSKUK-ja është në fazën përfundimtare të procesit të rekrutimit të rreth 100 infermiereve, të cilët do të sistemohen sipas nevojave në klinikat e QKUK-së, duke përfshirë edhe Klinikën e Onkologjisë”, është bërë e ditur në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa në SHSKUK nuk kanë kthyer përgjigje për kërkesat e pacientëve.