Ish-sekretari përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka përshkruar rrethanat që ishin në OKB gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Kurti me Ban Ki-moonin janë takuar në Korenë e Jugut, ku po qëndron në kuadër të Samitit të Paqes 2023. Njoftimi thekson se Kurti e Ban Ki-mooni kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë.
“Ai (Kurti) tha se në dy vitet e fundit Kosova ka shënuar zhvillim ekonomik dhe progres demokratik, që është njohur dhe vlerësuar edhe nga raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare. Më tutje kryeministri Kurti e ka njoftuar ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për procesin e integrimit të Kosovës në BE, kalimin me sukses të hapit të parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Aty po ashtu bëhet e ditur se Ban Ki-mooni është shprehur se “i gëzohet zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe është i interesuar që në një moment të volitshëm të vizitojë rajonin për të parë nga afër zhvillimet pozitive”.
“Gjatë këtij takimi, z. Ki-moon ka përshkruar edhe rrethanat në OKB përgjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kosova qe 15 vjet shtet nuk ka arritur të bëhet pjesë e OKB-së.