Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit dhe drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin e së martës pasdite në Bruksel, në takimin e parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, pas marrëveshjes së Ohrit.
Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Lidhur me draftin, që është paralajmëruar të prezantohet të martën, kryeministri Kurti ka thënë për mediumin kroat “Hina” se nuk e ka parë atë.
Të hënën në mbrëmje, kryeministri Kurti e ka vlerësuar si kompleks dhe të thjeshtë takimin e së martës.
“Kam arritur në Bruksel dhe kam kaluar ditën duke u përgatitur për takimin e nesërm. Përgatitja për negociata është si komplekse ashtu edhe e thjeshtë: komplekse sepse ka bollëk informatash dhe detaje të përfshira, në mes tjerash, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të sinqerta dhe fisnike”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Takimi pritet të nisë nga ora 18:00, nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak.
Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri për marrëveshjen për normalizim raportesh. Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit. Pavarësisht se për asnjërën s’është vënë nënshkrim, në BE i kanë cilësuar si obligative dakordimet.