Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka deklaruar se si shoqëri, në Kosovë ende nuk është arritur të sigurohet trajtim meritor për çdo punëtor.
Në këtë ditë, ai përmendi sfidën e emigrimit masiv të të rinjve kosovarë, duke thënë se duhet të tejkalohet me angazhim në krijimin e një ambienti që ofron mundësi të barabarta.
“Si shtet e si shoqëri ende s'kemi arritur që të sigurojmë trajtimin meritor për çdo punëtor, në cilindo sektor që punon. Për më shumë, sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet ta tejkalojmë përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve”, ka shkruar ai në Facebook.
1 Maji këtë vit në Kosovë është shënuar me dy protesta dhe një aksion simbolik.
Bizneset e vogla të kryeqytetit dhe Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës me rastin e një majit ditës së punëtorëve, kanë protestuar në Prishtinë. Kurse, Partia Socialdemokrate për këtë ditë ka organizuar një aksion para Qeverisë së Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.